Ditën e djeshme Policia nuk humbi kohë dhe e dërgoi deputetin Ervin Salianji në burgun e Fierit, aty ku do të vuajë dënimin me 1 vit të dhënë nga Gjykata e Apelit për kallëzim të rremë.
Gjykata e Apelit të Tiranës la në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me 1 vit burg për të deputetin demokrat Ervin Salianji për dosjen “Babale”.
Deputeti u dënua nga Apeli për “kallëzim të rremë” për denoncimin që bëri ndaj Geron Xhafës, vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafa.
Vendimi u shpall nga trupi gjykues me relatore Elona Toro dhe anëtarë Iliba Bezati dhe Genti Shala.
Po kush janë gjyqtarët që morën këtë vendim?
E para gjykatësja Elona Toro pati një proces të vështirë të vetingut teksa u konfirmua në detyrë në 17 qershor 2020, por vendimi u ankimua nga komisioneri publik sipas të cilit nuk ishte bërë një hetim i thellë mbi justifikimin e pasurisë. Shkak u bënë burimet financiare që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Sipas ankesës janë të pajustifikuara disa hua të marra nga familjarë. Pas një procesi të gjatë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli më 2 shkurt 2023 vendimin për lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të gjyqtares.
Të njëjtin kalvar kaloi edhe gjyqtarja tjetër Iliba Bezati.
Ajo u konfirmua në detyrë më 1 mars 2021, pasi u rrëzuan dy raporte negative të institucioneve ndihmëse ndaj saj për pasurinë dhe figurën. Komisioni vlerësoi se Bezati nuk mbante përgjegjësi mbi ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të vjehrrës që kishin shërbyer si burim kryesor i pasurisë së saj. Komisioneri publik e ankimoi vendimin, por në 30 korrik 2024, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli vendimin për lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë.
Me vështirësi e ka kaluar vetingun edhe gjyqtari Genti Shala.
Ai u konfirmua në detyrë më 4 gusht të 2020 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por një çështje e gjykuar prej tij u transferua për inspektim në ILD. Vendimi i zbardhur i KPK-së tregon se gjyqtari Shala mori vlerësime pozitive për figurën dhe profesionalizmin, si dhe arriti të bindte trupën gjykuese se një apartament i blerë në vitin 2000 për të cilin u ngritën dyshime për pronësinë nëse i përkiste në të vërtetë tezes së tij. Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeli hetimet bazuar në një denoncim mbi pasurinë e gjyqtarit dhe shqyrtoi edhe 4 denoncime që u morën gjatë kohës që çështja ishte në apel. Megjithatë as KPA nuk gjeti prova.
Të tre gjyqtarët morën një vendim që vetë Salianji e ka quajtur politik.
'Sot unë jam një i dënuar politik me urdhër të Fatmir Xhafës dhe porosi të Edi Ramës. Pse Edi Rama u detyrua dje të komentonte një vendim gjyqësor? Ju e dini qytetarët e dinë, në çdo deklarim të tij të mëparshëm për çdo proces gjyqësor që ka ndodhur në republikë ka thënë që unë nuk komentoj vendimet e gjykatave.', tha dje Salianji para dorëzimit në polici.
Lini një Përgjigje