
Ish-kryeministri Berisha i ka drejtuar 7 pyetje të tjera publike kryeministri Rama, lidhur me përfitimin e 22 hektarëve tokë, nga ai dhe familja e tij, në zonën e Vunoit.
Berisha u shpreh se Rama mashtroi shqiptarët kur deklaroi se nëna e tij, e ndjerë nuk ka bërë kërkesë për marrjen e pronave, ndërsa ngriti pikëpyetje për veprimet e Agjensisë së trajtimit të pronave dhe 7 VKM të qeverisë, që lidhen me përvetësimin e këtyre tokave.
Berisha deklaroi gjithashtu se me heshtjen e tij, kryeministri Edi Rama, po fakton se ka grabitur pa asnjë dokument 22 hektarë tokë në zonën e Vunoit.
Në një deklaratë për media, Berisha u shpreh se Rama mashtroi publikisht, kur tha se nëna e tij e ndjerë, Aneta Rama, nuk ka kërkuar pronat e trashëguara nga i ati, ndërsa theksoi se nuk e publikon hartën kadastrale të pronave të përfituara, pasi harta vërteton denoncimet e mediave, që pronat ndodhen përgjatë vijës bregdetare dhe jo siç pretendon kryeministri.
Më tej, lideri i opozitës, i parashtron të tjera pyetje publike Edi Ramës, lidhur me veprimet qe ka kryer në këtë rast, agjencia e trajtimit te pronave, e cila ndodhet në varësi të kryeministrit.
Kreu demokrat ngriti pikëpyetje për ndikimin që kanë pasur, në përvetësimin e 224 mijë metrave toke, 7 vendime qeverie të firmosura nga vetë kryeministri dhe 2 ligje të ndryshuara, të lidhura me problemet e pronësisë.
Lideri i partisë demokratike paralajmëroi se opozita do të nxjerrë deri në fund të vërtetën, për pronat që ka përfituar kryeministrit, të cilat përllogariten në vlerën e 30 milionë eurove.
Lini një Përgjigje