
Ministri Taulant Balla ka dënuar ashpër tensionet e opozitës në Parlament. Në seancën e sotme dogjën manekina ku në kokat e tyre ishte vendosur fotot e kryeministrit Edi Rama, ish-ministrit Fatmir Xhafaj, vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, vëllait të ish-ministrit Xhafaj, Agron Xhafaj.
Balla i cilëson disa prej deputetëve si “horra”, të cilët sot u përplasën ashpër me deputetët e mazhorancës duke mos i lejuar të futen në Kuvend.
Ai tha se djegia e karrigeve është një akt që tregon se ke djegur besimin e deputetëve që i kanë besuar mandatin. Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin theksoi se shqiptarët nuk e duan dhunën dhe sipas tij kjo rrugë e opozitës nuk do t’i japë asnjë rezultat ndryshe.
“Kjo që keni parë sot nga kjo forcë politike është bërë edhe para 1 viti, ishim në të njëjtën situatë, edhe para 2-3 vitesh po ashtu, në shkurt 2019 u dogjën mandatet, ka pasur ngjarje të tilla në Kuvend, nga e njëjta forcë që mendon se duke përsëritur të njëjtën marrëzi do marrë rezultat ndryshe. Shqiptarët nuk e duan dhunën, madje e kanë dënuar ashpër dhunën sa herë iu është dhënë mundësia me votë. Nëse do kisha mundësi t’iu jepja një këshillë deputetëve të opozitës, do ishte thirrja për të hequr dorë nga kjo qasje, se në demokraci pushteti fitohet përmes votës.
Kur ti djeg mandatet, kur ti djeg karrigen e deputetit, ti ke djegur besimin që të kanë dhënë qytetarët,. Ato karriget nuk janë tonat, të është dhënë me kontratë nga populli. Ti vjen në Kuvend bën horrin te dera e Kuvendit, disa prej tyre s’kanë pasur ndonjëherë lidhje me Kuvendin, horrin mund të shkosh ta bësh diku gjetkë. Brenda grupit të PD ka edhe njerëz që gëzoj respekt, në mendjet e tyre s’do donin fare të ishin pjesë e kësaj sjellje. Kjo nuk është një ngjarje që po ndodh për herë të parë. E rëndë që prej ’91, PD vazhdon të jetë peng i një personi, një person që nuk heq dorë nga e njëjta marrëzi, mendon se do japë rezultat ndryshe, nuk jep rezultat ndryshe”, u shpreh Balla për “Report Tv”.
Sipas ministrit, PD është një parti e marrë peng dhe i shërben interesit të familjes Berisha.
"Është një parti në interes të një familje të caktuar, ata që vrapojnë për të folur në emër të saj, kanë interesin duke bërë servilin e radhës ndaj Berishës, duke qenë se është mbartësi i vulës t’u japë mundësinë të jenë pjesë e listës së ardhshme në Kuvend”, tha Balla.
Sa i takon synimit të PS për zgjedhjet parlamentare 2025, Balla thotë se tashmë kërkojnë shumicën e cilësuar në Kuvend.
“Qytetarët janë gati ti japin PS një mandat më të fortë se secili prej 3 mandateve të tjera që kanë marrë deri tani. Shqiptarët kanë kuptuar që PS ka nevojë të ketë një shumicë të cilësuar për të çuar para reformat. Mandati i 4 do konsolidojë një fitore të madhe të PS”, përfundon ministri.
Lini një Përgjigje