
Deputeti Ervin Salianji ka reaguar nga burgu i Fierit pas përplasjes së opozitës dhe mazhorancës gjatë seancës së sotme në Kuvend.
Nëpërmjet një letre, Salianji shkruan se shfaqja e agresorëve si viktima, e dhunuesve si të dhunuar, e abuzuesve si të prekur nga prekja e pronës publike është hipokrizi neveritëse.
Ai shprehet se dhuna dhe brutaliteti më i madh është eliminimi i kundërshtarit politik duke asgjësuar dhe nënshtruar institucionet.
“Krimi më i madh është shkatërrimi i demokracisë, shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit”, thekson deputeti Salianji.
Deputeti shton se opozita po mbron veten, demokracinë dhe interesin publik.
“Shfaqja e agresorëve si viktima, e dhunuesve si të dhunuar, e abuzuesve si të prekur nga prekja e pronës publike është hipokrizi neveritëse. Njësoj siç vjedhin dhe përgjegjësinë e mbajnë denoncuesit, siç shkretojnë dhe shkatërrojnë, siç e ndajnë Shqipërinë si plaçkë lufte për bandat dhe mes bandave, siç përndjekin administratën, shkatërrojnë meritokracinë, sot po përpiqen të sillen si viktima.
Dhuna dhe brutaliteti më i madh është eliminimi i kundërshtarit politik duke asgjësuar dhe nënshtruar institucionet. Duke përdorur institucionet, si komisionet e partisë, për të fshikulluar dhe hequr lirinë dhe krimi më i madh është shkatërrimi i demokracisë, shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit. Pas vrasjes, burgosja politike është forma më e rëndë dhe më brutale e dhunës. Opozita po mbrohet dhe po mbron demokracinë dhe interesin publik”, shkruan Salianji.
Lini një Përgjigje