Seanca parlamentare e ditës së sotme është mbyllur mes tensionesh dhe polemikash. Edhe pse Kuvendi u mblodh për të miratuar rezolutën në mbështetje të Kosovës për sulmet në veri, Lindita Nikolla bëri një manovër në fund të seancës. Pasi u miratua rezoluta me 101 vota, ajo hodhi në votim rendin e ditës që u bllokua javën që shkoi.
Kjo gjë ka irrituar deputetët e opozitës të cilët u ngritën në këmbë dhe bllokuan foltoren e Kuvendit. Por kjo nuk pengoi Nikollën të vijonte me votimin. Me shpejtësi mazhoranca rrëzoi kërkesat e opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore, ai për skandalin me sistemin TIMS dhe për koncesionet në shëndetësi.
Po ashtu mazhoranca refuzoi kërkesën e Gazmet Bardhit për të zëvendësuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore Enkelejd Alibeajt e Bashës me Bylykbashin e Berishës. Bardhi tentoi të bënte një manovër, e cila nuk u pranua nga PS.
Pasi mbylli votimin, Nikolla njoftoi se i kanë ardhur 3 letra. Njëra ishte e Bardhit që njoftonte se Oerd Bylykbashi kthehet në grupin e PD. Ndërkohë ajo lexoi dhe dy letra të Bashës. Ky i fundit te njëra njoftonte përjashtimin nga grupi të 11 deputetëve dhe përcaktonte anëtarët e rinj të grupit. Nga ana tjetër ai po ashtu kishte njoftuar Nikollën se Gazment Bardhi nuk është më pjesë e PD, pasi është përjashtuar si anëtar.
Leximi i letrave shkaktoi të qeshura në sallë, por nuk pati asnjë vendimmarrje. Nikolla vetëm i lexoi dhe nuk i dihet nëse do merren parasysh këto kërkesa. Me shumë gjasë opozita do vijojë të jetë në kaos si jashtë ashtu dhe brenda Kuvendit.
Ndërkohë ish kryeministri, Sali Berisha në një deklaratë për gazetarët pas përfundimit të seancës plenare, ka deklaruar se Lindita Nikolla futi në rend dite, në mënyrë tinëzare, sipas tij kërkesën e opozitës për ngritjen e komisioneve Hetimore.
“Pak çaste më parë shqiptarët panë një akt rrugaçërie, të papërsëritshme. Ajo që kryen detyrën e kryetarit, faktikisht, një njeri i keqpërdorur nga Rama, duke shkelur me të dyja këmbët rregulloren, futi në rend dite pasi u votua rezoluta, atë që s’mund të ndodhte kurrë.
Sepse në çdo parlament reni miratohet në mëngjes. Në mënyrë tinëzare, futi kërkesat e opozitës për kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore”, tha ai./Pamfleti
Lini një Përgjigje