
Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalimin e tij të përditshëm nga dritarja e banesës, ka zgjedhur të flasë për të rinjtë e vendit.
Berisha ka theksuar se të rinjtë nuk mund të pranojnë mashtrimin për të vërtetë.
“Të rinjtë nuk janë ata kurrë që mund të pranojnë mashtrimin për të vërtetë, apo siç thotë populli, sapunin për djathë.
Nuk mund të pranojnë ata që Sali Berisha qenka i korruptuar, paçka se e gjithë jeta fakton një betejë të palëkundur kundër korrupsionit.
Paçka se pas 3 vitesh hetimesh të gjithëanshme, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën që ta dini, kanë gjetur turpin e tyre.
Nuk kanë gjetur një fakt, dokument, provë të paraqesin para jush”, ka thënë Berisha.
Ish-kryeministri ka vijuar më tej duke hedhur akuza për dënimin e tij.
Sipas Berishës është Edi Rama ai që duhet të dënohet për korrupsion, duke patur parasysh se është kapur edhe në flagrancë për çështjen “McGonigal”.
“Ata nuk mund të pranojnë kurrë që ky të arrestohet për korrupsion, kurse Edi Rama i kapur në flagrancë duke korruptuar me 225 mijë euro McGonigalin.
Duke korruptuar me licenca dhjetëra milionë eurosh nafte etj., luftojka korrupsionin.
Jo të rinjtë këta nuk mund ti pranojnë kurrë.
Askush nuk mund të ua shesë atyre, mashtrimin për të vërtetë.
Ndaj dhe ata janë sot më të gatshëm se kurrë në këtë betejë pa kthim për fitoren e të vërtetës, fitoren e opozitës.
Por unë këtu para jush dhe në emër tuaj, dua tu jap fjalën, ti garantoj ata se Shqipëria për të cilën ata luftojnë do të jetë Shqipëria e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe se pushteti i PD-së, do të jetë pushteti i të rinjve dhe të rejave shqiptare, kudo që janë, në Shqipëri dhe botë.
Sot ata përbëjnë për vendin, kombin, një fuqi të jashtëzakonshme. Një fuqi të vërtetë që se ka pasur kurrë më parë për të ecur me shpejtësi drejt horizonteve më të përparuara”, ka thënë Berisha.
Lini një Përgjigje