Evropianët kanë frikë nga kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Dhe në fakt, nuk kanë faj, pasi ky i fundit deklaroi publikisht se do t’i “inkurajonte” rusët të “bënin çfarë të donin” me aleatët që nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre?
Megjithatë, ky koment duhet të zgjojë nga gjumi ata në Evropë që mendojnë se janë të pafundmë rezervuarët e burimeve dhe vullnetit të mirë të SHBA-së. Trump pasqyron një zhgënjim në rritje të amerikanëve me shumë aleatë, të cilët refuzojnë të përballen me realitetin e ashpër ndërkombëtar:që rivalët po armatosen me shpejtësi, dhe që garancia e vetme e sigurisë, mbetet një shpenzim i madh por ndoshta i paqëndrueshëm ushtarak nga ana e SHBA-së.
Evropa ka shijuar prej dekadash një pushim nga detyrimi numër një i çdo shteti:siguria. Kushtet e mira ndërkombëtare të viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000, u duk se ishin preludi i një komuniteti global paqësor. Por tashmë është e qartë se përparimi drejt harmonisë globale nuk po ndodh, dhe se ushqyerja e iluzioneve të tilla është shumë e rrezikshme.
Disa, sidomos në vijën e frontit lindor të Evropës, janë ndërgjegjësuar plotësisht ndaj realitetit të ashpër të konkurrencës dhe luftës. Por të tjerët, si Gjermania dhe Italia, po vazhdojnë të shpenzojnë shumë më pak se sa niveli 2 për qind i Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen e tyre.
Madje pjesa më të madhe e atyre parave, shkojnë për personelin dhe jo për armët. Në rast se politikanët evropianë mendojnë se Rusia përbën një kërcënim serioz, atëherë ata duhet të rritin ndjeshëm shpenzimet e tyre për mbrojtjen si dhe të nxitin një mobilizim të shoqërive të tyre duke përfshirë një formë të rekrutimit, pavarësisht se çfarë thotë një kandidat presidencial në SHBA.
Ata në Evropë që shqetësohen se kontinenti është në rrezik, por më pas kërkojnë nga SHBA-të që t’i mbrojnë përmes një kostoje të lartë, janë duke e fshehur mosgatishmërinë e tyre për të bërë zgjedhje të vështira. Zgjidhja nuk është Bashkimi Evropian.
Pjesa më e madhe e retorikës në Evropë që e dënon paraprakisht një presidencë të ardhshme të Donald Trump, është një alibi e dobishme për ata që janë të dashuruar me idenë e autonomisë strategjike evropiane. Nëse Trump do ta braktisë Evropën, atëherë i vetmi shpëtim, mendojnë ata, është një BE e ringjallur, jo vetëm me një monedhë dhe treg të përbashkët, por edhe një ushtri të përbashkët, me blerje të përbashkët të armëve, industri të përbashkët të mbrojtjes dhe një komandë ushtarake në nivelin e BE-së.
Por ka një arsye pse nuk ka ndodhur kjo. Vendet evropiane nuk e duan atë. Portugalia nuk do të kujdeset për kufirin e Polonisë. As Estonisë për ishullin italian të Siçilisë. Berlini do të preferonte më mirë bënte biznes me Moskën sesa të luftonte për hendekun Suwałki në Poloni.
Parisi ose Roma nuk do t’i vendosin aspiratat e madhështisë apo interesat e tyre të biznesit në duart e një udhëheqësi të Evropës Qendrore, edhe me një lider të moderuar nga ambiciet e BE-së. Për shtetet evropiane, s’ka asnjë alternativë të mundshme përveçse të forcojnë forcat e tyre kombëtare.
Evropa duhet të ketë frikë nga armiqtë e saj. Një Rusi agresive që po pritet të zgjerohet drejt Perëndimit, nuk do të ndalet edhe pasi Vladimir Putin të jetë jashtë pushtetit. Gjatë 10 viteve të fundit, Rusia i ka rritur me 300 për qind shpenzimet e saj për mbrojtjen, ndërsa vendet e BE-së i kanë rritur ato me vetëm 20 për qind.
Cilësia e armëve perëndimore mund të jetë më e mirë, por lufta në Ukrainë tregon se rëndësi ka edhe sasia. Rusia po prodhon 20-30 tanke të reja në muaj, ndërsa Gjermania do të pajiset me vetëm 18 tanke të reja Leopard në vitin 2025. Britania e Madhe, ka rreth 40 tanke që janë gati për t’u vendosur në fushën e betejës.
Shtojini kësaj tabloje të zymtë paqëndrueshmërinë e kufirit jugor të Evropës, që ka të ngjarë të përkeqësohet teksa presionet demografike në Afrikë dhe Azi po e shtojnë fluksin e emigrantëve drejt veriut. Ky është një problem, i cili nuk do të zgjidhet nga organizatat ndërkombëtare të zhvillimit.
Ai kërkon investime në fushën e sigurisë, nga ndalimi i kalimeve të paligjshme në det deri tek stabilizimi i Afrikës së Veriut, por që të gjitha këto kërkojnë njerëz, anije, avionë dhe municione. Së fundi, Evropa duhet të ketë frikë nga një president i dobët amerikan.
Joe Biden-it i kanë mbetur edhe 11 muaj nga mandati i tij. Dhe nëse analizojmë 3 vitet e fundit si një tregues i asaj që mund të bëjë, atëherë Evropa përballet me rreziqe serioze.
Deri më tani, administrata e tij e ka braktisur Afganistanin duke ua dorëzuar talebanëve.
Po ashtu, ajo e ka zvarritur me dashje luftën në Ukrainë, duke i dhënë Kievit mjaftueshëm armë për të mos u pushtuar nga Rusia, por jo aq sa për ta mposhtur këtë të fundit. Ndërkaq ka hyrë në një luftë me Iranin dhe milicitë e saj në Lindjen e Mesme, pa një vizion të qartë të fitores. Dhe ky bilanc është shumë i zymtë për Evropën.
Biden dëshiron të shmangë zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale nën hijen e luftërave. Ai ka shumë interes të arrijë një marrëveshje me Rusinë, pavarësisht se çfarë mund të thotë kjo për Ukrainën. Paaftësia e Kongresit për të rënë dakord mbi financimin e ndihmës së re ushtarake për Ukrainën, e shkaktuar pjesërisht nga këmbëngulja e demokratëve për të injoruar krizat në kufirin jugor të SHBA-së, është shumë e dobishme për Joe Biden.
Sepse ajo e redukton ekspozimin amerikan ndaj luftës dhe përgatit kushtet për ngrirjen e konfliktit. Ukraina dhe bashkë me të edhe siguria e Evropës, rrezikohet të sakrifikohet shumë përpara Ditës së Inaugurimit jnë janarin e vitit 2025. Evropianët duhet të kenë frikë. Por objekti kryesor i frikës së tyre është më emergjent. Ata duhet të armatosen, pavarësisht se çfarë thotë president i SHBA-së apo një kandidat presidencial./ Përshtati Pamfleti nga “Wall Street Journal”
Shënim: Jakub Grygiel, profesor në Universitetin Katolik të Amerikës, dhe bashkëpunëtor në Institutin Huver.
Lini një Përgjigje