
Duket sikur është thyer diçka në raportet mes Ramës dhe serbëve. Deri dje Rama cilësohej si vëllai i Vuçiçit...
Takimi i kryeministrit Edi Rama në Greqi duket se ka shqetësuar më shumë Beogradin sesa Athinën.
Vetë qeveria greke nuk pati asnjë reagim për fjalimin e Ramës, por e kundërta ka ndodhur me qeverinë serbe.
Zv/kryeministri Aleksandër Vulin ka rikthyer tonet nacionaliste në reagimet e para në këtë post. Ai ka kërkuar të ndalet Shqipëria e Madhe, teksa kërkoi aleancë me Greqinë kundër këtij projekti.
“Shqipëria e Madhe mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe”, u shpreh Vulin në një reagim agresiv kundër takimit të kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi.
“Herën tjetër që qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë”, shtoi ai.
Zëvendëskryeministri serb kërkoi nga Greqia që të formojnë një aleancë anti-shqiptare.
“Njohja e të ashtuquajturës Kosovë nga autoritetet greke dhe pranimi i Prishtinës në Këshillin e Evropës, do të ishte një kontribut i pamatshëm i Qeverisë së Greqisë dhe Dora Bakoyanis në krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqipëria mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe, por edhe nga ju grekë të dashur, grekët tanë. Ju lutem mendoni për këtë”, shtoi ai.
Pra duket sikur është thyer diçka në raportet mes Ramës dhe serbëve. Deri dje Rama cilësohej si vëllai i Vuçiçit, por duket se një nga besnikët e presidentit serb nuk e cilëson më ashtu.
Historikisht Vulin ka qenë histerik te pjesa e Shqipërisë së Madhe. Madje ia ka kërcënuar dhe me luftë.
“Projekt i Shqipërisë së madhe mund të realizohet vetëm me luftë madhe ballkanike, kjo është e qartë për të gjithë, këtë duhet ta ketë të qartë Brukseli”, shprehej dikur ai.
Duhet theksuar se Vulin është “non grata” nga SHBA për lidhje me krimin dhe është benjamimi i Putinit në Ballkan.
Lini një Përgjigje