Nga të dhënat e votave që ka siguruar “Pamfleti”, rezulton se Balla ka marrë vetëm 70 vota nga radhët e socialistëve, pra 1 më pak se numri i nevojshëm për miratim. Në mbështetje të tij kanë votuar dy deputetë të Partisë Social Demokrate dhe 3 të PDIU...
Taulant Balla është emëruar ministër i Brendshëm sot falë votave të Shpëtim Idrizit dhe Tom Doshit. Ai u la në baltë nga disa prej kolegëve të tij që nuk ishin të pranishëm dhe nëse deputetët e Idrizit dhe Tom Doshit nuk do ishin aty, kandidatura e Ballës do të rrëzohej.
Por çfarë ndodhi më konkretisht. Në fund të seancës së sotme, u votua dekreti i Presidentit për emërimin e Ballës ministër të Brendshëm. Dekreti u miratua me 75 vota pro, 16 kundër dhe 1 abstenim.
Por nga të dhënat e votave që ka siguruar “Pamfleti”, rezulton se Balla ka marrë vetëm 70 vota nga radhët e socialistëve, pra 1 më pak se numri i nevojshëm për miratim. Në mbështetje të tij kanë votuar dy deputetët e Partisë Social Demokrate të drejtuar nga Tom Doshi, ata janë: Gledis Çeliku dhe Gertjan Deda.
Por ajo që bie në sy është se PDIU duket se ka kaluar në krahun e mazhorancës. Para zgjedhjeve të 14 majit pati përplasje të forta mes Idrizit dhe Berishës, duke bërë që partia e çamëve të ndryshojë kah. Vetë Shpëtim Idrizi dhe dy deputetët e PDIU, Nusret Avdulla dhe Gëzim Ademaj kanë votuar pro dekretit, duke e çuar në 75 numrin e votave që shkuan pro dekretit.
Emri i Taulant Ballës ka sjellë reagime të shumta në Kuvend. Ai është padyshim emri që është akuzuar më shumë nga të gjithë në radhët e PS, për lidhje me persona me të shkuar kriminale.
Të gjithë e mbajnë mend skandalin me Xhisiela Malokun, e cila denoncoi djalin e deputetit tashmë të dorëhequr, për dhunë shtazarake. Polici Emiljano Nuhu ishte ai, i cili guxoi dhe pranoi dëshminë e saj, duke fundosur djalin e deputetit. Mirëpo, ai tregoi se i kishte shkuar në zyrë Taulant Balla dhe i kishte kërkuar që të mbyllej dosja. Sot polici ka përfituar azil jashtë.
Por CV-ja e Taulant Ballës nuk mbyllet me kaq. Ai ka pasur lidhje të ngushta me Edmond Begon, një person i dënuar për trafiqe. Berisha e ka akuzuar se ka kryer mbi 52 udhëtime me avion me të. Po ashtu ai është akuzuar për lidhje me Gentian Sharrën dhe Suel Çelën në zonën e Elbasanit.
“Bomba” kundër tij u hodh pak muaj më parë nga Ardian Çapja. Gjatë gjyqit, ky i fundit deklaroi se Balla ka qenë nën përgjim nga prokuroria për masakrën e 3 shkurtit të 2016-ës, ku mbetën të vrarë anëtarë të fisit Çapja.
Më pas dolën fakte se ai ka qenë vërtetë nën përgjim, por prokurori urdhëroi më pas të asgjësohej përgjimi. Mbet të shihet se cili do të jetë fati i tij, pasi ka dhe nga ata që thonë se Rama e ka bërë “kokë turku”. Kush ka drejtuar Ministrinë e Brendshme ka përfunduar në fund të rreshtit dhe nuk i dihet se si mund të përfundojë Balla. /Pamfleti
Lini një Përgjigje