
Në Pallatin e Brigadave në Tiranë, Kryeministri Edi Rama ka mbledhur prej rreth 2 orësh në një takim anëtarët e kryesisë së PS-së dhe drejtuesit politikë të kësaj partie në qarqe, për të përcaktuar strategjinë elektorale, por edhe listat e kandidatëve për deputet të forcës më të madhe politike në vend.
Mbledhja ka nisur me një analizë të objektivave dhe çështjeve që do të jenë në qendër të vëmendjes së fushatës elektorale të 11 majit, ku PS dhe Rama do të tentojnë mandatin e 4-t qeverisës.
E ndërsa drejtuesit e qarqeve dhe anëtarët e Kryesisë kanë nisur raportimet, Kryeministri, njëherazi edhe Kreu i PS-së, është shkëputur nga takimi, ndërsa mbledhja vijon.
Nga raportimet mësohet se reformat e ndërmarra nga Qeveria pritet të jenë në qendër të vëmendjes së fushatës së socialistëve, veçanërisht ato që kanë lidhje me pagat e pensionet.
Reforma në drejtësi pritet të jetë një tjetër kryefjalë e socialistëve në fushatën e 11 majit, ku natyrisht do të evidentohet roli i Partisë Socialiste në ecurinë e kësaj reforme, për të dhënë garancinë se institucionet e drejtësisë do të konsolidohen dhe do të kenë pavarësinë e tyre nga politika, përsa kohë PS do të jetë në pushtet. Dhe duket se në këtë pikë, Rama dhe të tijët, do e kenë në vëmendje, duke iu referuar edhe sondazheve ku veçanërisht SPAK, ka mbështetjen maksimale, duke zhvendosur madje edhe Ambasadën e SHBA apo atë të BE-së, përsa i takon suportit qytetar.

Në mbledhjen e thirrur nga Rama pritet që drejtuesit e Qarqeve të paraqesin edhe kandidatët për deputet, të cilët më pas do të kalojnë në sitën e diskutimeve, për të vendosur më pas listën përfundimtare të kandidatëve. Afati përfundimtar për të depozituar listën në KQZ është data 12 mars, çka do të thotë se brenda fundjavës, socialistët e drejtuar nga Edi Rama, do të kenë përmbyllur çdo diskutim.
Në listat e kandidatëve për deputet pritet të përfshihen pothuajse të gjithë anëtarët e kabinetit Qeveritar, ndërsa politikanët me më shumë eksperiencë dhe mandate në ‘kurriz’ do të jenë në atë që konsiderohet si lista e hapur. Gjithashtu 30-35 % e listës së kandidatëve, sipas raportimeve, pritet të përzgjidhen nga aplikacioni ‘Deputeti që duam’, çka do të thotë se mund të ketë një rikonfigurim të grupit parlamentar socialist në rreth 50 % të tij.
Lini një Përgjigje