TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Mars 2025, 16:04

Zgjedhjet e 11 majit/ Skema si do të funksionojë koalicioni i Berishës, partitë që do kenë kandidatë në listat e hapura

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet e 11 majit/ Skema si do të funksionojë koalicioni i

Aleatët do të propozojnë 1 ose 2 emra si kandidatë në listën e hapur, ndërsa gjithçka bën të bazohet te rezultatet zgjedhore të...

Demokratët e Sali Berishës arritën të krijojnë një koalicion me 26 parti për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të cilin e kanë pagëzuar me emrin “Shqipëria madhështore”. Negociatat me aleatët janë zhvilluar nga Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, ndërsa është dakordësuar se në listat e mbyllura ose të sigurta do të jenë vetëm partitë parlamentare. Në këto kushte PL e Ilir Metës ka arritur 4 vende të sigurta, ndërsa PBDNJ, PAA, PDIU dhe PR nga 1 kandidat në atë që konsiderohet si lista e mbyllur.

Por si do të funksionojë koalicioni dhe a do të përfshihen në listat e kandidatëve për deputet të gjitha partitë?

Referuar burimeve nga Partia Demokratike në listën e hapur do të kenë përfaqësues të tyre partitë parlamentare, PDK e Nard Ndokës, Legaliteti, Balli Kombëtar, por edhe emra që mund të kenë peshë në zona të caktuara, që mund të jenë propozime nga partitë e tjera.

Mësohet se me përjashtim të PL-së, të gjitha këto subjekte do të kenë vetëm nga 1 deri në 2 emra të propozuar në listën e hapur.

Pra përtej një emri në listën e sigurtë, FRD, PBDNJ, PAA, PDIU dhe PR do të propozojnë 1 ose 2 emra si kandidatë në listën e hapur.

E gjitha do të bazohet në peshën elektorale që kanë këto parti, referuar zgjedhjeve të 2021 dhe 2023. Pra duket se PD e Berishës ka bërë një kalkulim lidhur me shpërndarjen e mandative për secilën forcë politike dhe mbi këtë logjikë do të ketë edhe një shpërndarje të emrave që propozohen si kandidatë për deputetë.

Afati përfundimtar për hartimin dhe dorëzimin e listës është 12 marsi dhe brenda kësaj gjithçka do të përmbyllet. Gjithsesi nga raportimet e deritanishme duket se janë përcaktuar qarqet ku do të kandidojnë kryetarët e partive parlamentare që janë në aleancë me PD-në, ndërsa pritet dakordësimi për emrat që do të propozohen për listat e hapura.

Në këto kushte pritet që PR-së t’i jepet një vend në listën e hapur të Tiranës, PLL në Qarkun e Dibrës, PBDNJ-së në Qarkun e Korçës, PDIU në Fier dhe Vlorë, PL-së në Elbasan ose Korçë, Shkodër, Lezhë dhe Berat.

FRD, parti që u themelua nga ish-Presidenti Bamir Topi dhe sot drejtohet nga Sali Shehu, pritet të ketë një vend në listën e hapur të Tiranës ose Dibrës, ndërsa PDK në Shkodër ose Lezhë. 

Po kështu PEISH, parti e drejtuar nga Rivelino Çuno, e cila përfaqëson komunitetin egjiptian dhe rom, mund të përfitojë një vend në listën e hapur, në varësi të kalkulimeve për votat. Me shumë gjasë edhe ai do të jetë në listën e Tiranës.

Burime nga PD shprehen se gjithçka është bazuar në shpërndarjen e votave të subjekteve që do të kenë hapësirën për të kandiduar 1 apo 2 emra, por edhe emrave që ata propozojnë.

Kjo nuk përjashton faktin se emra që mbeten jashtë listës së kandidatëve zyrtarë të PD-së, të mund të përfshihen në lista si përfaqësues të subjekteve të tjera që janë në koalicion me partinë e drejtuar nga Berisha. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje