TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Janar 2026, 15:15

Takimi me Ramën, Netanyahu: Do hapim Dhomën e Tregtisë Izraelite në Shqipëri, rrisim investimet

Shkruar nga Pamfleti

Takimi me Ramën, Netanyahu: Do hapim Dhomën e Tregtisë Izraelite

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun izraelit Benjamin Netanyahu, duke dhënë sinjale të qarta politike dhe ushtarake për aleancën mes Tiranës dhe Tel Avivit.

Në deklaratën e tij, Rama theksoi se Shqipëria mbështet Planin e Paqes për Gazën të propozuar nga Presidenti Donald Trump; një pozicion që e rreshton vendin tonë hapur në krah të linjës amerikano-izraelite në Lindjen e Mesme. “Ne do të mbështesim të gjitha përpjekjet, përfshirë Planin e Paqes për Gazën të Presidentit Trump,” deklaroi ai.

Kryeministri shqiptar përmendi bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me Izraelin, duke falënderuar këtë të fundit për ndihmën pas sulmit kibernetik të orkestruar nga Irani. “Ndërsa lutemi për shpirtrat e panumërt që kanë humbur jetë, mbajmë shpresë se ditët e vrasësve të Teheranit po vijnë drejt fundit”, u shpreh Rama, me një ton të fortë politik ndaj regjimit iranian.

Gjithashtu, ai përmendi se Shqipëria është në proces të marrëveshjeve të reja për prodhim ushtarak dhe teknologjik, duke përmendur projektin “Made in Albania” në sektorin e mbrojtjes, i cili synon eksportin jashtë vendit.

Ndërsa Benjamin Netanyahu e falënderoi Shqipërinë për mbështetjen ndaj popullit hebre gjatë Holokaustit. Ai u ndal në dy pika të rëndësishme gjatë fjalimit: rritja e numrit të turistëve izraelitë në Shqipëri dhe çelja e Dhomës së Tregtisë në Jeruzalem që do të forcojë raportin mes dy vendeve.

Ai përfaqëson shpirtin e vërtetë të Shqipërisë. Ndoshta bota nuk e di dhe duhet ta dijë që Shqipëria ishte i vetmi vend europian që gjatë Holokaustit pati një popullsi hebreje brenda Shqipërisë që u rrit e nuk u mpak. Myslimanët shqiptarë mbrojtën mijëra hebrenj dhe i mikpritën. Njerëzit duhet të njohin rolin moral që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta. Ju qëndroni krah së vërtetës, ju qëndruat krah Izraelit, busulla juaj morale nuk u lëkund dhe kjo është diçka që ne e vlerësojmë thellësisht dhe që ju shenjon si një udhëheqës të jashtëzakonshëm të popullit tuaj dhe mendoj për ato segmente njerëzimi që duan që e vërteta të mbrohet dhe të mbrohen vlerat morale që ne ndajmë. Numri i turistëve izraelitë që kanë shkuar në Shqipëri është rritur me 800% dhe së shpejti do të bëhen shumë më tepër. Kemi kompani investuese izraelite që e dinë se ka një mundësi të madhe në Shqipëri dhe gjëra që mund të zhvillohen bashkë me shqiptarët. Kjo do të çohet edhe më tej me çeljen e Dhomës së Tregtisë nesër dhe është diçka që do të çojë përpara lidhjet ekonomike. Kemi një mirëkuptim që shkon përtej interesave, por në ndjesën më të thellë të simpatisë njerëzore, ka një themel empatie dhe një bazë vëllazërie”, tha Netanyahu.

 

Lini një Përgjigje