
Forumi Rinor i Partisë Demokratike i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit postoi një fotografi gjatë mbrëmjes së djeshme, ku pretendonte se ishte krah të rinjve të FRPD.
Përmes një deklarate për mediat, FRPD shkruan se të rinjtë që ishin dje në takimin e Ramës, janë individë që për arsye personale apo familjare janë detyruar apo joshur për t'u bashkuar me atë që ata e quajnë bandë plaçkitëse të kryeministrit.
Po ashtu, në njoftim thuhet se dalja e atyre të rinjve krah Ramës, nuk e njollos FRPD-në, që sipas tyre është organizata më e madhe politike në vend.
Në njoftim, FRPD hedh akuza ndaj Ramës së ka shpopulluar Shqipërinë dhe ka dëbuar rininë nga vendi me kamionë e gomone.
"Edi Rama, ti je peng i bandave të Sky Encrochat, aspak i FRPD apo çdo lloj rinie!
Pasi shpopullove këtë vend nga gjysma e rinisë duke i debuar nga ky vend me gomone apo kamionë, Shqiperinë dhe të ardhmen e saj e ke lenë peng të krimit dhe korrupsionit!
Të rinjtë e FRPD kanë qenë në ballë të protestave dhe do jenë në ballë të fushatës që do të dëbojë ty nga ky vend një herë e mirë!
Ne jemi rritur komisariateve, sallave të gjyqeve dhe asnjëherë nuk e kemi ulur kokën ndaj regjimit tënd, asnjëherë!
Individë që për arsye personale apo familjare janë detyruar apo joshur për t'u bashkuar me bandën tënde plaçkitëse nuk e njollosin FRPD, organizatën më të madhe politike në vend.
Çfarë arrite me FRESSH, të cilën e shkërrmoqe duke e lenë pa struktura, pa kryetar, por mbi të gjitha pa identitet politik por veç nënshtrimin pa kushte ndaj hedonizmit dhe sadizmit tënd, nuk do e arrish kurrë me FRPD", thuhet në reagim.
Lini një Përgjigje