
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka analizuar lëvizjet e fundit brenda opozitës, duke komentuar foltoret e Sali Berishës dhe takimet e ish-deputetit Ervin Salianji. Hoxha theksoi se demokratët nuk mund të mbeten vetëm në rolin e denoncuesve, por duhet të ndërmarrin veprime konkrete politike.
“Ne nuk mund të rrimë vetëm duke denoncuar. Ose do të dalim në protesta masive kombëtare për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, ose nuk ka rrugë tjetër. Qytetarët janë të lodhur, kërkojnë shpresë nga PD”, u shpreh ai, duke theksuar nevojën për një frymë përbashkuese. Sipas tij, në PD nuk duhen shpikur armiq të brendshëm dhe çdo demokrat ka të drejtë të takojë kë të dojë.
Duke komentuar takimet e Salianjit, Hoxha tha se ai nuk po përpiqet të marrë rolin e riorganizuesit të PD-së, por po ndihmon në ndezjen e një “zjarri” që e vë partinë në lëvizje. “Nëse në Durrës ka demokratë që shkojnë në një takim të tij, kjo tregon se ekziston një problem organizativ në PD”, tha ai, duke e cilësuar normale që figura të ndryshme të kenë mbështetjen e bazës.
Ai kujtoi situatën e vitit 2021, kur, sipas tij, Foltorja lindi pikërisht si reagim ndaj një partie të mbyllur. “Asokohe Basha thoshte se nuk ishim të deleguarit e tij. E njëjta gjë po përsëritet. PD duhet të rivitalizojë veten, të mos krijojë armiqësi dhe të mos ngelet peng i inateve,” u shpreh Hoxha. Sipas tij, fryrja artificiale e situatave të brendshme dëmton partinë dhe ul energjinë e demokratëve.
“Nuk është tabu që disa demokratë të mblidhen dhe të mos pëlqejnë sekretarin apo nënkryetarin. Kjo energji duhet administruar, edhe kur vjen nga pakica. Nëse e armiqëson, bën dëm”, deklaroi ai. Hoxha theksoi se objektivi i vetëm i PD duhet të jetë “rrëzimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike”.
Lini një Përgjigje