Arben Malaj ka deklaruar se Partia Demokratike po kalon një krizë të rëndë politike dhe se largimi i Sali Berishës do t’i hapte rrugë ringritjes së partisë.
Në një lidhje televizive, ish-ministri i Financave u shpreh se opozita nuk ka arritur të krijojë një alternativë bindëse përballë qeverisë. Sipas tij, kjo situatë lidhet edhe me mënyrën se si funksionojnë dy partitë kryesore në vend.
Malaj tha se kishte shpresuar që Berisha të zgjidhte vetë të largohej nga politika, duke theksuar se figura të rëndësishme ndërkombëtare si Tony Blair, Margaret Thatcher dhe Angela Merkel janë tërhequr nga jeta politike pa pasoja për vendet e tyre.
Ai shtoi se drejtimi i gjatë i Berishës po pengon frymëmarrjen e Partisë Demokratike dhe po mban të bllokuar zhvillimet politike në vend.
Sipas Malajt, edhe brenda Partisë Demokratike mungon vullneti për ta bindur Berishën të marrë një rol honorifik dhe të lirojë drejtimin e partisë. Ai e përshkroi PD-në si një “motor të ngecur”, që nuk po arrin të funksionojë normalisht në opozitë.
Malaj: Unë besoj që kriza e Partisë Demokratike është shumë e thellë në politikën shqiptare, edhe për faktin që duke qenë pjesë opozitare, ajo duhet të vinte përballë domosdoshmërisë së përmirësimit ndaj mazhorancës, por duke qenë se të dy kryetarët e partive veprojnë si vëllezër siamezë, gjë që e dokumentoi marrëveshja e 2008-ës dhe gati janë edhe marrëveshjet për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale, unë kisha shpresuar që Sali Berisha do gjente një moment që të largohej nga politika. Nuk do të ndodhte ndonjë hata e madhe. Ka ikur Tony Bler, ka ikur Theçeri, ka ikur Merkel, por duket se nuk e lëshon atë parti dhe i ngjan atij njeriut që e rrit vetë fëmijën dhe pastaj i vë duart në grykë dhe e mbyt.
Kam diskutuar dhe me kolegët e Partisë Demokratike, por asnjëri nuk gjen një forcë që ta bindë që të shkojë President Nderi, ta lirojë partinë të marrë frymë. Është një motor që ka ngecur dhe ka ngecur duke penguar edhe gjithë zhvillimet politike në vend.
Zoteri si duhet ti hape rruge te vdesi apo cfare,ka 13 vite Ed Drama nuk ben zgjedhje ne PS ju beni sehire e ju vrete syrin PD?