TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Maj 2026, 20:34

PD propozon rritje të numrit të bashkive, Boçi: Ka disa variante për ndarjen e re territoriale!

Shkruar nga Pamfleti
PD propozon rritje të numrit të bashkive, Boçi: Ka disa
Luçiano Boçi

Komisioni për reformën administrativo-territoriale ka zhvilluar dëgjesa në qarqet e vendit, ndërsa partitë politike po përgatisin propozimet e tyre për ndarjen e re territoriale.

Bashkëkryetari i komisionit, Luçiano Boçi, deklaroi se një nga variantet që po shqyrton opozita parashikon rritjen e numrit të bashkive në rreth 100 njësi.

Sipas tij, propozimi mbështetet te kriteri i largësisë nga qendra administrative dhe numri i banorëve. Boçi tha se standardi i propozuar është që njësitë të mos jenë më shumë se 20 deri në 25 kilometra larg qendrës, ndërsa numri minimal i banorëve të jetë 6 mijë, në përputhje me standardet europiane.

Ai u shpreh se gjatë dëgjesave qytetarët kanë kërkuar më shumë përfaqësim dhe afrimin e shërbimeve pranë komuniteteve, ndërsa përfaqësuesit vendorë kanë ngritur shqetësimin për mungesën e kompetencave dhe mjeteve financiare.

Boçi theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e rolit të qarqeve dhe nivelit të dytë të pushtetit vendor. Sipas tij, qarqet duhet të kenë kompetenca më të qarta, struktura përfaqësimi dhe funksione që bashkitë e vogla rurale nuk arrijnë t’i mbulojnë.

Një tjetër variant i propozuar nga opozita lidhet me organizimin e vendit në rajone, duke ruajtur një numër më të lartë bashkish dhe një strukturë me 8 qarqe.

“Dëgjesat kanë ecur mirë në pikëpamjen time, kemi marrë atë çka kemi pritur, një reagim të kërkesës dhe dëshirës së qytetarëve për të rritur numrin e bashkive, për të afruar shërbimet, për të pasur përfaqësi, por edhe kërkesa nga përfaqësues aktual të pushtetit vendor, që duan funksione të përcaktuara dhe mjete për realizimin e funksioneve. E rëndësishme është që prevalojnë kërkesat pikërisht ato kërkesa që janë në përputhje me qëndrimin politik të PD, në raport me reformën territoriale. Të kemi ndarje të re territoriale, për të rritur numrin e bashkive. Ka variante, janë të konsultuar edhe me drejtues politik, për ndarje territoriale.

Variantet prevalojnë nga rritja absolute e numrit të bashkive, që është rreth 100, ky është varianti që përcakton bashkitë, sipas largësisë nga qendra, dhe të numrit të banorëve. Standardi i largësisë është 25 ose 20 kilometra nga qendra, dhe numri i banorëve, sipas standardeve të BE, minimumi, 6 mijë banorë për njësi bashkiake. Kjo është kërkesa më e frekuentuar, ose më e kërkuar. Nëse nuk realizohet kjo, të ketë rritje të numrit të bashkive, në një masë optimale dhe të rritet e forcohet roli i qarqeve, duhet të pajisen me kompetenca, duhet të kalojnë edhe nëpërmjet proceseve zgjedhore, të ketë këshillin e vet dhe të mbulojë ato kompetenca, që një bashki e vogël rurale nuk mund t’i realizojë dot dhe të garantojë njëkohësisht ndërveprimin bashkiak, që plotësojnë njëra-tjetrën edhe në kompetenca, por edhe në funksionalitetin e tyre. Varianti tjetër, lidhet me propozimin tonë për rajonet, duke rritur përsëri numrin e bashkive, në një numër optimal, të kemi 8 qarqe”, theksoi ai.

 

luçiano boçi territorialja

Lini një Përgjigje