
Macron nuk dukej se mori ndonjë përfitim të menjëhershëm nga vizita javën e kaluar në Francë e presidentit kinez Xi Jinping. Pas bisedimeve në Paris, Macron e çoi atë në një resort në Pirenej, ku shkonte shpesh kur ishte fëmijë, në të njëjtën ditë që ambasadori i tij në Moskë po shihte Putinin duke u betuar për mandatin e tij të ri...
Kur Vladimir Putin u betua si president i Rusisë për një mandat të pestë javën e kaluar, pas një procesi zgjedhor me shumë probleme, ambasadorët e të gjitha fuqive kryesore të Perëndimit e bojkotuan, përveç njërit. Ai ishte Pierre Lévy, njeriu i presidentit Macron në Moskë, i cili zuri vendin e tij në ceremoninë plot shkëlqim të zhvilluar në Kremlin.
Prania e ambasadorit francez, nuk kaloi pa u vënë re në Londër dhe Uashington, teksa ngriti shumë pikëpyetje edhe në Paris. Kjo sepse prania e tij ndodhi një ditë pasi Lévy dhe homologu i tij britanik, ishin thirrur në Ministrinë e Jashtme ruse për një notë proteste. Macron ka folur kohët e fundit për ndjekjen e politikës së “paqartësie strategjike” përkundrejt Rusisë.
Por e përditshmja franceze “Le Monde”, vuri në dukje në një artikull të fundit shumë kritik, se vendimi i presidentit për të dërguar Lévy-n në ceremoninë e inaugurimit të Putinit në një kohë kur Franca po përpiqet të shihet si e ashpër ndaj këtij të fundit, kishte më shumë “paqartësi se sa strategji”.
Macronit i pëlqen të jetë i paparashikueshëm. Ai u zgjodh president në vitin 2017 para ditëlindjes së tij të 40-të, dhe krijoi një parti të tijën në kundërshtim me të gjitha rregullat normale të politikës franceze. Gjatë këtyre viteve në pushtet, ai ka pasur të njëjtën qasje përçarëse ndaj politikës së jashtme, duke ndërmarrë nisma njëra pas tjetrës, që shpeshherë i hutojnë aleatët.
Ai shqetësohet se zhvillimi dhe siguria e Evropës, nuk janë më të garantuara në një botë të dominuar gjithnjë e më shumë nga Amerika dhe Kina. Sidomos nëse Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e nëntorit. “Macron dëshiron të jetë si Churchill. Jam i sigurt se ai do të donte të hynte në histori si djali që e zgjoi Evropën”- thotë Michel Yakovleff, gjeneral francez në pension, që dikur ka shërbyer për shumë vite në selinë e NATO-s në Bruksel.
Gjermania, një vend me shumë peshë në çështjet evropiane nën drejtimin e Angela Merkel, është mbyllur në vetvete nën qeverisjen e pasardhësit të saj Olaf Scholz. Edhe Britania, u duket francezëve si një hije e vetes së saj të dikurshme. “Ai që dikur ishte trekëndëshi strategjik i Evropës, midis Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Francës, sot përbëhet vetëm nga Franca”-shton Yakovleff.
Sipas tij në Evropë ka një boshllëk në aspektin e të menduarit strategjik, dhe Macron është duke e mbushur atë, përmes vendosjes së rregullave. Dhe është e sigurt se presidentit francez nuk i mungojnë idetë. “Macron është një president i pazakontë. Ai është një nga liderët e paktë perëndimorë, që mendon vërtet shumë mbi gjendjen e botës dhe përpiqet të krijojë një panoramë sa më të përditësuar të asaj që po ndodh”-shprehet Mark Leonard, drejtor i institutit “European Council of Foreign Relations”.
Por zgjidhjet e tij mund të jenë të diskutueshme. Një ndër to ka qenë deklarata në një konferencë në Paris në muajin shkurt, se Perëndimi s’duhet ta përjashtojë mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë. Duket se ajo është frymëzuar nga zhgënjimi i tij me apatinë e Perëndimit pas kërcënimeve të Putin me luftë bërthamore dhe nga frika se mos e provokojnë atë.
Propozimi u refuzua me shpejtësi në Uashington, Berlin dhe Londër, megjithatë provokoi shqetësim të madh në Moskë. Macron e përsëriti sërish këtë ide gjatë një intervistë me “The Economist” këtë muaj, ndonëse specifikoi se trupat do të dërgohen vetëm në përgjigje të një kërkese nga Ukraina, “gjë që nuk po ndodh tani”.
Po ashtu ai ka theksuar se Franca, aktualisht vendi i vetëm i BE-së me armë bërthamore, mund t’i shtojë një “dimension evropian“ forcës së saj bërthamore, roli i së cilës deri më tani ka qenë i kufizuar në “mbrojtjen e interesave jetike franceze”. Nuk është e qartë me saktësi se çfarë do të sjellë kjo, edhe pse Macron e ka bërë të qartë se butonin do e mbajë ai.
Propozime të tilla ishin edhe më të papritura, duke pasur parasysh se 2 vjet më parë, në fillim të luftës në Ukrainë, Macron këmbëngulte që Perëndimi të krijonte një “trampolinë rrugëdaljeje” për Putinin dhe të përpiqej të mos e poshtëronte atë. Në një ndjesë të pazakontë, ai e ka pranuar se duhej t’i kishte kushtuar më shumë vëmendje paralajmërimeve të dikurshme të BE-së dhe anëtarëve lindorë të NATO-s mbi kërcënimin që paraqiste Rusia.
Duke folur hapur, Macron po ndjek një traditë të gjatë të udhëheqësve francezë që janë të bindur se fati i Francës është të udhëheqë Evropën, me apo pa Gjermaninë. Në këtë synim ndihmon edhe struktura politike e Francës: presidenti e drejton vetë politikën e jashtme dhe nuk është i detyruar të konsultohet me anëtarët e kabinetit, e lëre më pastaj me partnerët e koalicionit siç bën në Gjermani kancelari.
Megjithatë, Macron e ka çuar këtë qasje aktiviste shumë më larg se paraardhësit e tij. Kësisoj ai rrezikon të dëmtojë politikat e tij, pasi i prezanton ato në një botë të papërgatitur, dhe duke u mbështetur në karizmën e tij për të fituar mbështetje, në vend se fillimisht të ndërtojë një marrëveshje në prapaskenë.
“Ai është një njeri me një besim të jashtëzakonshëm në aftësinë e tij për të bindur dhe joshur të tjerët. S’mund të mohohet që ai është një polemist i jashtëzakonshëm, i bindur se është i aftë të përcaktojë zgjidhjet e problemeve, t’i shpjegojë ato dhe të bindë bashkëbiseduesit e tij më mirë se kushdo tjetër”- mendon Jean-François Bouthors, analist dhe njohës i mirë i Rusisë.
Bouthors beson se kjo qasje i ka rrënjët tek dashuria e përjetshme e presidentit francez për teatrin. Por ai paralajmëron, se ajo ka qenë e paefektshme kur ka përballë liderë të fortë, siç u pa nga takimet e Macron me Trump - me të cilin shtrëngoi duart për shumë gjatë në vitin 2017 - apo me Putin, për të cilin ai mendoi gabimisht se mund të negocionte mbi fundin e luftës që sapo kishte nisur në Ukrainë.
Por Macron nuk dukej se mori ndonjë përfitim të menjëhershëm nga vizita javën e kaluar në Francë e presidentit kinez Xi Jinping. Pas bisedimeve në Paris, Macron e çoi atë në një resort në Pirenej, ku shkonte shpesh kur ishte fëmijë, në të njëjtën ditë që ambasadori i tij në Moskë po shihte Putinin duke u betuar për mandatin e tij të ri.
Ndonëse u gostit nga mikpritësi i tij me mish qengji, djathin tipik apo edhe vallet popullore të zonës mes maleve të mbuluara me borë, Xi refuzoi t’i ofronte ndonjë lëshim të madh mbi tregtinë apo politikën e jashtme. Politikanët francezë të opozitës reaguan ashpër:”Emmanuel Macron e tentoi për 5 vite diplomacinë narcisiste të tipit “Unë i bëj lajka tiranit” me Vladimir Putinin. Dhe çfarë solli kjo? Pushtimin e Ukrainës dhe kërcënimet ndaj demokracive tona”- thotë Raphaël Glucksmann, kandidati kryesor i socialistëve në zgjedhjet e Parlamentit Evropian që mbahen muajin e ardhshëm.
Një kritikë e tillë do të zbehet, ashtu siç do të ndodhë edhe me polemikat mbi vendimin e Macron për të dërguar Lévy në Kremlin. “Askush nuk e ka kundërshtuar faktin që Putin është presidenti i Rusisë, ndaj s’kishte asnjë arsye që ai të mos shkonte në këtë ceremoni. Përndryshe, nuk ka kuptim të kesh një ambasadë atje”- thotë Sylvie Bermann, ambasadorja e mëparshme e Francës në Moskë.
Ndërkohë, prania e tij në ceremoni mund të pasqyrojë edhe një dëshirë të Francës për të mbajtur disa kanale të hapura me Kremlinin, gjë që mund të ndihmojë në sigurimin e një roli për Parisin nëse siç duket e mundshme, Ukraina do të detyrohet në fund të negociojë me Putinin.
Trupat franceze nuk po shkojnë ende në Ukrainë. Por teksa zgjedhjet evropiane janë shumë pranë, ky propozim po siguron pretekste për kritikët e Macron brenda dhe jashtë vendit. Marine Le Pen, partia e së cilës Tubimi Kombëtar, parashikohet të fitojë numrin më të madh të vendeve që i takojnë Francës në PE, e ka akuzuar Macron se ka nisur “një udhëtim egoistik”.
Nga ana tjetër edhe Matteo Salvini, udhëheqësi Lega në Itali, dhe një aleat i ngushtë i Le Pen e quajti “çmenduri” këtë ide, duke shtuar: ”Nëse Macron po mendon mbi luftën, atëherë ai duhet të vërë në kokë helmetën, të mbathë çizmet prej llastiku dhe të shkojë vetë të luftojë!”./Përshtati Pamfleti nga “The Sunday Times”
Lini një Përgjigje