Është anuluar takimi mes ministrit të Brendshëm, Taulant Balla dhe homologut të tij grek, Ionais Ikonomou, i parashikuar që të mbahej ditën e sotme.
Shkak për anulimin e takimit janë bërë incidentet e dhunshme, mbrëmjen e djeshme, në Athinë mes tifozerisë së AEK dhe Dinamo Zagreb.
Si pasojë e përleshjeve gjatë mbrëmjes së kaluar, 1 i ri humbi jetën, teksa 8 të tjerë u plagosën, ndërkohë që 96 persona janë arrestuar.
Balla kishte njoftuar më herët takimin me Ikonomou, me të cilin do të diskutonte për sigurinë kufitare dhe lehtësimin e lëvizjes gjatë sezonit turistik.
Skena të tmerrshme dhune pushtuan të hënën në mbrëmje Athinën në stadiumin e AEK-ut. Huliganët e Dinamo Zagrebit sulmuan tifozët e AEK-ut. Për pasojë ka humbur jetën një 29-vjeçar grek. Ai u vra me thikë.
Policia ka arrestuar në lidhje me këtë ngjarje 98 persona. Mes tyre janë 87 kroatë, një shqiptar, një austriak, një boshnjak, një gjerman dhe pesë grekë.
Po ashtu nga ngjarja kanë mbetur tetë persona të plagosur. Mes tyre një 17-vjeçar që ka goditje të forta në kokë pasi u godit me gurë. Në spital ndodhen të shtruar edhe 3 grekë e 5 kroatë të tjerë.
Skenat e dhunës ndodhën përpara ndeshjes AEK-Dinamo Zagreb që pritet të luhet këtë të martë dhe është e vlefshme për fazën e eliminatoreve të Champions League.
Lini një Përgjigje