
Demokrati Ivi Kaso ka folur sa i përket skandalit të djeshëm në Shkollën e Magjistraturës. Ai tha se kjo shkollë është infektuar me virusin politik të Partisë Socialiste, njësoj si të gjitha institucionet e tjera të Rilindjes. Dje u shtua numri i fituesve për magjistratë dhe kjo ngriti dyshime për manipulime.
Kaso tha se Arben Rakipi pasi ka manipuluar listat e studentëve fitues, refuzon të dëgjojë kërkesat e drejta të tyre.
“Nuk mund të ketë tregues më të mirë të kalbësisë së sistemit të drejtësisë, kur shikon se ç’ndodh me pranimet e reja në Shkollën e Magjistraturës. Shkolla e Magjistraturës, djepi i formimit të zyrtarëve të nesërm të drejtësisë, shkolla për të cilën është investuar kaq shumë nga partnerët tanë dhe për të cilën, të gjithë shqiptarët kanë pritshmërinë më të lartë për standardin që duhet te aplikoje, është infektuar me virusin politik te partisë socialiste, po aq rëndë sa edhe çdo institucion tjetër i drejtësisë së rilindur.
Drejtori aktual i saj, Arben Rakipi, ish prokuror politik i përgjithshëm i Partisë Socialiste, pasi ka manipuluar listat e studentëve fitues të fazës së pare, duke shtuar në mënyrë antiligjore rreth 42 studentë shtesë, refuzon tashmë të dëgjojë kërkesa e drejta të studentëve të cilët kërkojnë anulimin e të gjithë procedurës konkurruese sepse ajo provoi të ishte tërësisht e manipuluar”, tha ai.
Kaso deklaroi se Rakipi po e bën këtë gjë se studentët e kualifikuar janë prurje të PS dhe nuk e kanë merituar, duke gjetur kështu të vetmen mundësi kualifikimi Arben Rakipin. Ai kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të tij.
“Po përse e bën këtë gjë ish prokurori politik socialist: arsyeja është e thjeshtë: 42 studentët që janë kualifikuar pa të drejtë janë prurje politike të partisë socialiste. Pasi këta studentë nuk janë kualifikuar me meritë në fazën e parë, të vetmen mundësi për kualifikim kishin dhe gjetën Arben Rakipin, i cili listës prej 79 studentësh të kualifikuar i shton me dorën e tij politike, edhe 42 të tjerë, sepse këtë të fundit janë e ‘ardhmja socialiste’ e drejtësisë së kapur. Çfarë ne dhe opinioni publik sheh sot nuk është vetëm epilogu i turpshëm i kalbësisë politike që prodhoi reforma në drejtësi, por edhe fundi i dhimbshëm i shpresave të kombëtarëve dhe ndërkombëtarëve, të cilët për shkak të investimit të madh financiar dhe emocional, shohin krijesën e përçudnuar, makinerinë e ‘frankeshtajnit politik’ që pasi ka kapur momentalisht drejtësinë, synon ta bëjë atë thellësisht rilindase edhe pef brezat që do të vijnë”, tha ai.
Kaso ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Arben Rakipit, si njeriu mbrapa këtij skandali të rëndë.
“Ne i kërkojmë gjithashtu partnerëve tanë që nëse vërtetë duan një drejtësi të pakapur, të reagojnë publikisht duke e dënuar këtë aferë. Dhe është më mirë të reagojnë sot sesa kur ‘zjarri’ i opinionit publik t`i vërë përpara drejtësisë të gjitha falsifikuesit dhe manipulatorët e sistemit”, tha Kaso.
Lini një Përgjigje