
Pas debateve dhe tensioneve të krijuara në Kuvend nga përjashtimi i Kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhit, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, me kërkesën e Kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndërpreu diskutimet dhe hodhi në votim rendin e ditës pas miratimit të propozimti të Ballës me 73 vota pro.
Sipas rendit të ditës dhe pikave përkatëse, me shumicën e votave të mazhorancës, kryesisht 73 vota, kaluan të gjitha pikat e rendit të ditës, si raporti i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ashtu edhe ai për Institutin e Krimeve të Komunizmit. Me shumicë votash kaloi edhe projektligji për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve.
Më pas seanca kaloi në votimin e radhës për dy Komisionet e Posaçme Parlamentare për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore. Fillimisht Peleshi, njoftoi se do kalonte Reforma Zgjedhore, por opozitarët kundërshtuan në sallë, teksa ndërhyri Balla, i cili pyeti kolegët për dakordësinë.
Më pas ai i kërkoi Peleshit që ky rend dite të shtyhej për në seancën e radhës, më 30 tetor, derisa të arrihej dakordësia. Gjithashtu edhe për çështjen e Reformës Territoriale, opozita u shpreh kundër. Balla mori fjalën dhe tha se do pranonin të gjitha amendamentet që kishte dorëzuar PD në Kuvend për këtë çështje dhe ishin të gatshëm ta votonin.
Por deputetët e PD-së e kundërshtuan edhe këtë pikë, teksa Balla tha se meqë ende opozita nuk ishte e qartë, të shtyhej edhe kjo pikë për në datën 30 tetor, në seancën e radhës.
Pas kalimit në votim, me 73 vota kundër dhe 37 pro të opozitës, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale u shty.
Lini një Përgjigje