Ministri i Brendshëm donte ta shkarkonte pas dështimit total në kontrollin e territorit, por Proda i mbijetoi vetëm falë një pazari të pistë: tolerancës ndaj krimit elektoral në shërbim të fitores së Edi Ramës...
Për javë të tëra përpara zgjedhjeve, Edi Rama kishte vendosur që pas 11 majit të shkarkonte Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda. Konflikti i heshtur mes tij dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, kishte degraduar në ndërprerje totale komunikimi dhe intriga reciproke kundër njëri-tjetrit.
Ministri Hoxha, një nga njerëzit më të afërt të Kryeministrit, i kërkoi hapur Ramës largimin e Prodës duke përdorur si argument rikthimin masiv të krimit në territor, rënien e autoritetit të policisë, dhe përfshirjen e shefave të emëruar prej tij në veprimtari kriminale. Gjashtë muajt e fundit, një sërë ngjarjesh e faktash implikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë zyrtarë të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me grupe kriminale, një bilanc katastrofik për një drejtues policie.
Por ndodhi ajo që nuk pritej: pas zgjedhjeve, konflikti mes Hoxhës dhe Prodës u shua si me pult. Komunikimi u rikthye, “paqa” u vendos dhe gjithçka u harrua si të mos kish ndodhur asgjë. Fitues në dukje kundrejt ministrit të Brendshëm. Por mbijetesa e Ilir Prodës kishte një arsye tjetër, shumë më të thellë.
Ilir Proda e shpëtoi kokën sepse i shërbeu Edi Ramës me krimin zgjedhor.
Gjatë procesit elektoral, nga dita e votimit deri në mbylljen e numërimit, policia e drejtuar nga Proda u bë garant i heshtur i manipulimit. Në qytetet kyçe; Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Dibër, Korçë, Kukës, Vlorë u denoncuan dhjetëra raste me prova filmike për ndërhyrje të strukturave të PS-së në procesin zgjedhor. Denoncime që shkonin nga lista votuesish jashtë dhe brenda qendrave të votimit, te “vëzhgues” të krimit me dokumenta zyrtare të Partisë Socialiste, te zyrtarë që bënin presion pranë qendrave të votimit.
Por Policia e Shtetit, me urdhër apo vetëdije, nuk veproi. Në shumicën dërrmuese të rasteve, efektivët nuk shkuan fare në vendngjarje. Në raste të tjera, mbërritën me orë të tëra vonesë, pasi provat ishin zhdukur dhe autorët kishin ikur.
Në raste më të rënda, policët ishin prezentë në qendrat e votimit dhe nuk ndërhynin as kur ndodhte dhunë, kërcënime, apo intimidim i hapur. Në Vorë, Elbasan, Fier, Dibër e Tiranë u raportuan ngjarje të tilla, ku eksponentë të krimit që punonin për PS-në, vepronin të papenguar në sy të policisë.
Ky “kontribut” i heshtur e strategjik e bëri Ilir Prodën të vlefshëm për Ramën. Jo si profesionist, jo si garant i ligjit, por si garantues i fitores. Dhe për këtë arsye, vendimi për shkarkim u tërhoq, dosja e konfliktit me Hoxhën u mbyll dhe pozita e tij u rikonfirmua për aq kohë sa do i shërbejë pushtetit me të njëjtën bindje.
Pra, në krye të Policisë së Shtetit kemi një drejtues që shpërblehet për heshtje dhe tolerancë ndaj krimit elektoral, ndërsa në krye të Ministrisë së Brendshme qëndron një besnik i sistemit, që ka përkthyer besnikërinë në shërbime të dyshimta ndër vite.
Ky është shteti që po ndërton Edi Rama. Një aparat sigurie që nuk mbrojti zgjedhjet, por partinë. Një polici që nuk garantoi rendin, por rezultatin./Pamfleti
Lini një Përgjigje