Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë të Bashkimit Evropian, njëherazi zv/presidente e Komisionit Europian, Kaja Kallas, ka reaguar për vizitën e saj zyrtare në Tiranë.
Kallas ka shprehur kënaqësinë e saj për marrëveshjet e firmosura dhe takimet me drejtuesit e lartë, përfshirë presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Rama.
Në veçanti, shpreh gëzimin e saj për marrëveshjen e firmosur mes Bankës Europiane të Investimeve dhe Qeverisë së Shqipërisë, për rindërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë.
“E gëzuar që isha dëshmitare e nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe EIB, për të rindërtuar hekurudhën midis portit të Durrësit dhe Rrogozhinës. Kjo do të krijojë vende të reja pune, do të rrisë tregtinë dhe do të përmirësojë lidhjen, duke e sjellë Shqipërinë më afër fqinjëve të saj dhe BE-së”, shkruan Kallas në llogarinë e saj personale, në rrjetin social X.
Ditën e djeshme komisionerja zhvilloi një vizitë në Malin e Zi, ndërsa nesër zhvillon takime në Bosnjë Hercegovinë. Kallas u shpreh sot, krah kryeministrit Rama se “anëtarësimi i Shqipërisë në BE është realist”.

Lini një Përgjigje