TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Prill 2024, 18:07

“Sheikët e politikës” shijojnë të qetë milionat, ILDKP dështim total me zbulimin e pasurive korruptive; vetëm 16 padi penale

Shkruar nga Pamfleti
“Sheikët e politikës” shijojnë të qetë
Evgjeni Bashari, drejtuesja e ILDKP

ILDKP ka dërguar në Kuvend raportin vjetor të vitit që lamë pas dhe bie në sy se ka pasur vetëm 16 padi penale për fshehje pasurie...

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive duket se ka kapitulluar. Edhe pse janë hedhur miliona euro me qëllim që të ketë transparencë për pasuritë e politikës, jo vetëm që kjo nuk po ndodh, por ILDKP ka vendosur të mos i ngacmojë “mamuthët” e korruptuar.

ILDKP ka dërguar në Kuvend raportin vjetor të vitit që lamë pas dhe bie në sy se ka pasur vetëm 16 padi penale për fshehje pasurie dhe këto në nivel shumë të ulëta, pra nivele drejtorësh, etj.

“Për më tepër, Inspektorati i Lartë, gjatë periudhës 2014 – 2023, ka referuar pranë Institucionit të Prokurorisë, strukturave të Hetimit Tatimor, Agjencisë së Inteligjencës Financiare, si dhe Policisë së Shtetit, 571 subjekte, ku janë përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë drejtues, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kryetarë bashkie, gjyqtarë, prokurorë, drejtorë të përgjithshëm, etj. Për periudhën raportuese janë paraqitur në total 16 raste referimesh penale dhe referime të tjera”, njofton ILDKP.

“Sheikët e politikës” shijojnë të qetë

Vetë në raport, institucioni i drejtuar nga Evgjeni Bashari bie brenda me këmbët e veta. Në 10 vite janë paditur afro 600 zyrtarë, që i bie një mesatare mbi 50 padi në vit. Ndërkohë që zonja e ka ulur nivelin me 4-fish.

Po ashtu një rënie e dukshme është dhe te kontrolli i plotë i deklaratave. Dikur kontrolloheshin me mijëra zyrtarë, ndërsa vitin që lamë pas ka pasur vetëm 636 kontrolle të plota.

Në përmbushje të objektivit të veprimtarisë së tij, lidhur me ushtrimin e kontrollit të plotë dhe hetimin administrativ për vërtetimin e saktësisë dhe vërtetësisë së të dhënave të pasurive, të të ardhurave e detyrimeve të deklaruara nga zyrtarët dhe personat e lidhur me ta, konstatimin e rasteve të konfliktit të interesave, ka miratuar dhe ka kaluar në kontroll të plotë në total 636 subjekte deklaruese, si për shkak funksioni, ashtu edhe bazuar në informacione të ardhura nga burime të ligjshme”, thekson raporti.

 Po ashtu më tej thuhet se niveli i kontrollit ka rënë ndjeshëm, pasi kanë shkuar vetëm te zv/ministrat, ndërsa deputetët dhe ministrat “hedhin valle”.

Konkretisht, Inspektorati i Lartë përgjatë periudhës raportuese ka pasur objekt verifikimi deklaratat e interesave privatë për subjektet në funksionet titullarë e anëtarë të enteve rregullatore, zëvendës ministra, këshilltarë, komisionerë, titullarë të institucioneve publike, prokurorë/gjyqtarë, si dhe nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues të administratës publike”, thekson raporti.

Ndërkohë vetë “Pamfleti” ka treguar se si ministra, deputetë dhe zyrtarë të lartë kanë vënë pasuri sheikësh dhe askush nuk i kontrollon, lerë më t’i padisë penalisht. /Pamfleti

Lini një Përgjigje