
Nënkryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi tha se e konsideron SPAK si një kobure politike për të goditur opozitën, por që funksionon si zjarrfikës në radhët e mazhorancës ku ka nisur lufta për pushtet politik brenda këtij grupimi.
Boçi u shpreh se SPAK nuk mund të bëjë politikën e politikës, ku shfaqet si ekuilibrues i interesave në radhët e pushtetit.
Ai theksoi se SPAK vepron bazuar në udhëzimet që jep kryeministri Edi Rama.
“Në rastin e z. Berisha, liderit të opozitës, SPAK dhe GJKKO nuk marrin në konsideratë faktet dhe provat në raport me hetimin, madje as duan të shohin, thjesht zbatojnë atë urdhrin politik dhe duan të djegin mandatin e tij. E njëjta metodë dhe mënyrë po përdoret ndaj Ilir Metës, kreut të PL-së. Pra qëllimi i SPAK është të mbajë nën presion opozitën, ndërsa në krahun tjetër po ruan atë pamjen e tij. Ka një fakt tronditës, sapo SPAK është krijuar nuk ka parandalim të korrupsionit, por kemi korrupsion galopant. Në radhët e mazhorancës SPAK godet nivelet e mesme të drejtimit, madje nuk guxon të përmendë emrin e Erion Veliajt në rastin e inceneratorit të Tiranës”, tha Boçi.
Sipas tij, SPAK nuk guxon t'i afrohet Edi Ramës, madje ai i ka mbyllur derën agjentëve të BKH-së.
“Kjo është e vërteta, ky është realiteti, ndërsa SPAK justifikohet "është urdhër i amerikanëve". Në fakt SPAK duhet të ketë vetëm një urdhër: zbatimin e ligjit. Ndërsa urdhrat që i shkojnë SPAK dalin nga zyrat e PS dhe Kryeministrit", u shpreh Boçi për “Syri Tv”.
Lini një Përgjigje