PD-ja zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha, thuhet se po ristrukturohet; Partia e Lirisë ka hall penal me dy pronarët Meta-Kryemadhi; Foltorja pas arrestimit të Saliut ka mbetur në duart e Flamur Nokës; qeveria ka mbetur në duart e Don Agaçit, ndërsa PS ka mbetur në duart e kumarxhiut Blendi Klosi...
Aktualisht, në Shqipëri nuk ka një klasë politike normale në shërbim të vendit e qytetarëve, por klane personale, të atyre që kanë marrë peng partitë kryesore dhe i përdorin për interesa vetjake.
Pas shpalljes “Non grata”, Sali Berisha ka rikthyer situatën anarkike në parlament, nëpërmjet krijimit të lëvizjes Foltore, që është një formacion me program familjar për t’i shpëtuar drejtësisë, plan që i dështoi e tashmë.
Për t’u dukur “i pamposhtur dhe i domosdoshëm” për interesat vendit e popullit, por edhe për t’u dukur si “martir i gjallë i kombit”, Sali Berisha i mbyllur në shtëpi për një nga krimet e kryera, ka filluar të bëjë liderin opozitar nga ballkoni, përballë grupit që i ka mbetur pas arrestit.
Të bësh opozitë me tundje gishtash nga ballkoni, për Sali Berishën është “serum në fund të shpirtit” të tij politik e moral, tipik si hungërimat e skërmitjet pa shpresa në “kafaz”, gjë të cilën Berisha e ka kuptuar, por i duhet të aktrojë.
Ata që shkojnë poshtë ballkonit, mendojnë se Sali Berisha është si në vitin 1992, apo në vitin 2005 kur u ri-kthye në pushtet, prej opozitarizmit të fortë me të cilin joshi shqiptarët dhe prej shkërmoqjes së PS e në pakt me ndërkombëtarët.
Tani, përveçse nuk ka asnjë nga këto mundësi, Sali Berisha është “non grata” dhe i arrestuar, ndaj të cilit nuk po reagon asnjë faktor politik e diplomatik perëndimor dhe as rajonal, madje pas izolimit e kanë braktisur dhe deputetët e militantët.
Edhe militanti me fanatik e naiv, ka kuptuar se Sali Berisha nuk mund ta përmbysë dot sundimin e Edi Ramës, me 10 minuta “opozitë” nga ballkoni; gjersa nuk e realizoi kur ishte i lirë e mbushi disa herë bulevardin qendror të Tiranës.
Opozitarizmi i Saliut nga ballkoni, duke e mbajtur Liria mbrapa prej ushkurit të potureve, se mos kalon në psiko-ekstazë e hidhet prej andej, nuk ka asnjë ndikim te demokratët e shqiptarët, që me shumë të drejtë janë kundër qeverisjes.
Përballë Berishës që prej 10 vitesh ka bërë opozitë elektronike me “qytetarin dixhital”, prej 2 vitesh në salla mbledhjesh me Foltoren e me deputetët pazarxhinj në parlament; është kryeministri Edi Rama, që prej 10 vitesh po qeverisë nga avioni.
Babloku është i vetmi kryeministër në Ballkan e Europë, që sidomos pas vitit 2017 kur mori mandatin dytë, i hipën çarterit e udhëton pothuajse çdo javë nëpër botë, madje gjatë viteve 2020-2021 ka bërë nga 2 udhëtime në javë.
Sipas një statistike e investigimi që ka bërë “Pamfleti”, rezulton se 55% e vendimeve të qeverisë shqiptare që bëhen çdo të mërkurë, janë marrë kur Babloku ka qenë duke fluturuar me avion, ose duke bërë pazare nëpër restorantet e Botës.
Aq shumë kohë ka konsumuar kryeministri Edi Rama në avion e jashtë shtetit, edhe për qoka e qejfe personale gjatë viteve 2019-2023, sa krijoi përshtypjen që në Shqipëri vinte 3-4 ditë për vizitë dhe i hipte çarterit e ikte përsëri.
Aktualisht, PD-ja zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha, thuhet se po ristrukturohet; Partia e Lirisë është në hall penal me dy pronarët Meta-Kryemadhi; Foltorja pas arrestimit të Saliut ka mbetur në duart e Flamur Nokës; qeveria ka mbetur në duart e Don Agaçit, ndërsa PS ka mbetur në duart e kumarxhiut Blendi Klosi./Pamfleti
Lini një Përgjigje