TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Shkurt 2025, 18:53

Sa mandate synon PS në 11 maj? Balla: Duam shumicën e cilësuar, s’mund të jemi pengje të negociatave

Shkruar nga Pamfleti

Sa mandate synon PS në 11 maj? Balla: Duam shumicën e cilësuar,

Taulant Balla, i deleguar i PS-së për Diasporën në zgjedhjet e 11 majit, shprehet se opozita po tenton të gjejë alibi për të njollosur zgjedhjet dhe për të justifikuar humbjen e saj të rradhës.

Balla tha se kushti i vendosur nga opozita që për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor ku parashikohet pagesa e postës për votën, që në 11 maj të lejohet të votojnë edhe emigrantët me dokumente të huaja, është i papranueshëm.

Në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV,  Balla thotë se ky është një diskutim i mbyllur, ndërsa thekson se as KQZ nuk do mund të verifikonte dot dokumentet e një shteti të huaj.

“Pse opozita duhet ta kushtëzojë këtë me çështje të tjera që janë të parealizueshme. Opozita thotë të votojnë edhe shtetas me dokumente të shteteve të tjera. Këtë diskutim e kemi mbyllur në 2008 kur kemi bërë reformën, kemi thënë jo me dokumente të huaja, po as me dokumente shqiptare jobiometrik nuk mund të votosh. Këtë diskutim e kemi mbyllur, kthemi pas 16 viteve dhe themi do lejojmë të votojmë dhe me dokumente të tjera të një vendi tjetër. KQZ ka ngritur një infrastrukturë, PER nuk është një gjë, pas saj qëndrojnë baza të dhënash që vërtetojnë dokumentin në fjalë. Këtu nuk bëhet fjalë që ti vetëm ngre ato, por dokumentet të verifikohen. Ne do kërkojmë në SHBA të na japin akses në bazën e të dhënave, është e pamundur nuk ta jep dot asnjë shtet”, shprehet Balla.

Në vijim ai thekson se opozita nuk po futet për të fituar zgjedhjet, por për garantuar sërish një grup Besnik të Berishës.

“Nëse PD vazhdon të insistojë, kjo është për të prishur zgjedhjet, jo për të ndihmuar dikë. i sfidova në Kuvend, u thash mos e keni alibi. Ju e dini që do humbni zgjedhjet, edhe vetë kolegë të PD në diskutime informale thonë që ne e dimë që po humbim. Ata nuk po futen për të fituar, po futen që Berisha të këtë një grup besnik që të vazhdojë historinë e ballkonit, dritares, rrugës së lirisë”, thekson Balla.

Ndërkohë që ai shprehet i bindur që pavarësisht nëse do apo jo opozita, do të gjenden zgjidhje që votat e diasporës të numërohen.

“Shpresoj një reflektim nga PD, por kuvendi duhet t’i hapë rrugë 3 çështjeve për të cilat ka një dakordësi në të gjitha krahët, pjesa e pagesës së postës në kthim, zgjerimi i afatit të regjistrimit të koalicioneve, partitë dhe kandidatëve. Afatet duhet të sposotohen të gjitha me 10 ditë”, vijoi Balla.

Për socialistin, PS në zgjedhjet e 11 majit synon 84 mandate, në mënyrë që vendi për ligje të rëndësishme, të mos mbetet peng i negociatave me Berishën.

“U kërkoj vëllezërve e motrave në diasporë të regjistrohen sa më shumë, se na duhet të mos mbetemi peng, na duhen pak vota për të arritur me shumicë me 84 mandate që ta çojmë deri në fund votën e diasporës. Imagjinoni t’u marrë mend perëndia kundërshtarëve tanë dhe mos të pranojnë të votojnë këto tre çështje që janë jetike. Të mos mbetemi peng, se në mandatin e ri na duhet që PS të ketë të paktën 84 mandate të mos mbetemi peng e të çojmë para reformat e rëndësishme që lidhen me përmbushjen e kritereve për anëtarësimin e Shqipërisë brenda këtij mandati të ri. Mos na lini peng të Saliut, po na jepni mbështetjen për të çuar para vizionin Shqipëria 2030. Përgjigjen e more, 84 mandate”, shprehet Balla.

Lini një Përgjigje