
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri ka komentuar rezolutën antikorrupsion.
Dje në parlament u miratua me votat e shumicës socialiste rezoluta për luftën kundër korrupsionit, ndërsa opozita nuk e votoi. Deputetja Orjola Pampuri sqaroi arsyet se pse PD nuk mori pjesë në këtë votim.
“Ne dje kishim një qëndrim tonin për të abstenuar duke mos pranuar të mos jemi pjesë e votës dhe besoj se i gjithë grupi ynë nuk mori pjesë në debatin sa i përket rezolutës antikorrupsion. Pse e thamë ne këtë dhe pse e cënon reformën në drejtësi dhe pse e cënon punën e SPAK? Në fakt në një vend normal nuk mund të ekzistonte një strukturë e posaçme siç është SPAK sepse normalisht funksionon drejtësia”, u shpreh Pampuri për Vizionplus.
Më tej, Pampuri theksoi se pandëshkueshmëria është në nivele të larta.
“Drejtësia është e pavarur, pandëshkueshmëri sigurisht që nuk ka. Sikur se ka pasur përgjatë këtyre 34 viteve, ku besoj se të gjithë jemi koshientë në të gjitha qeveritë. Pandëshkueshmëria ka qenë në nivele shumë të larta…Jemi në kuadër të SPAK. SPAK po bën punën e tij dhe besoj një punë të shkëlqyer duke parë dhe rezultatet ku ne nuk do e kishim menduar që do të kishim deputetë ish-deputetë, ish zv.kryeministra, pse jo ish-lideri i Partisë Demokratike, sigurisht ne na vjen keq por kjo është e vërteta. Kjo e dëmton për një fakt të vetëm", tha Pampuri.
Nënkryetarja e PD-së tha se në këtë moment është hipokrizi që Rama të pretendojë së po lufton korrupsionin, kur vetë kryeministri në 11 vitet e fundit e ka ndërtuar vetë korrupsionin, duke bashkëpunuar me të gjithë ata politikanë që tashmë duket se janë përfshirë në korrupsion.
“Nuk ka arsye sot Edi Rama pas 11 vitesh kur ishte detyruar BE e SHBA të mbështeste një strukturë të posaçme kur kishte aty 11 vite qeverinë e Edi Ramës, i cili mbylli të dy sytë, mbylli gojën dhe madje bashkëpunoi me të gjithë ata që quhen të korruptuar, Me ata që përfitojnë tender, koncesione me ata që bëjnë koncesione me të gjithë ata dhe sot pas 11 vitesh qeverisje, thotë do të luftoj unë korrupsionin, cilin korrupsion? Atë që ndërtove vetë ti? Dhe këtu është hipokrizia e madhe për të cilën ne as nuk morëm pjesë në debat, as në votim. Nuk ka punë më Edi Rama që të hetojë korrupsionin. Ishte Edi Rama që ndërtoi e shndërroi korrupsionin në normë dhe në normalitet. Kush bënte korrupsion ishte politikan i mirë dhe i suksesshëm”, theksoi Pampuri.
Lini një Përgjigje