Fakte dhe detaje se si familjarët e kryebashkiakut të Tropojës përlajnë tenderë…
Nuk kanë fund shkeljet në Bashkinë e Tropojës. Një ditë më parë “Pamfleti” publikoi të dhëna nga një raport i KLSH, ku shihej se si abuzohej me fondet, punësimet dhe tenderët.
Sot po fokusohemi vetëm te prokurimet, pasi në brendësi të raportit tregohet me detaje skema se si Rexhë Byberi ka bërë namin me abuzimet. Sipas verifikimeve të “Pamfletit”, ai ka qerasur me tenderë të afërmit e tij, duke u dhënë mbi 200 milionë lekë të vjetra.
Vjedhja e parë ka ndodhur në tenderin për rikonstruksionin e thertores Shudenicë + Ndërtim i tregut të bagëtive. Tenderi me vlerë 12,678,100 lekë u fitua nga kompania “Trajler shpk” me administrator Anila Byberi. Rezulton se kjo kompani është e djalit të xhaxhait të kryebashkiakut Rexhë Byberi. Vetë KLSH ka konstatuar se ka pasur presion ndaj anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave.
“Me kontratën noterale nr. 2024/904, datë 31.05.2022, është bërë marrëveshja (për bashkim të përkohshëm), ndërmjet Shoqërisë T Shpk dhe shoqërisë “O” ShPK, duke ndarë edhe volumin e punës, ku 30 % e punimeve të preventivit do të kryhen nga T Shpk dhe 70 % nga shoqëria “O” ShPK, duke ndarë edhe volumet sipas zërave të preventivit përkatës që do të realizojë secili operator. Nga auditimi rezulton se nga KVO është hartuar Raporti Përmbledhës me shkresën nr. 913/1 prot, datë 27.06.2022, i cili është miratuar nga Titullari i Autoritetit Kontraktor (i Autorizuar) z. A.K dhe është hedhur në sistem. Rezulton se ky raport nuk është nënshkruar nga anëtari i tretë i KVO, znj. F.D, duke refuzuar me pretendimin se nuk plotësohen kriteret e kualifikimit. Me shkresën nr. 2605 prot, datë 09,06,2022, “”Sqarim procedurë prokurimi”, të tre anëtarët e KVO, kanë vënë në dijeni Kryetarin e Bashkisë z. R.B dhe Nënkryetaren e Bashkisë Znj. Z.I, lidhur me konstatimin e mungesës së dokumentacionit të paraqitur nga B.O shpk & T Shpk, oferta e vetme që ka marrë pjesë në këtë procedurë”, thekson KLSH.

Sipas burimeve, përpara se të bëhej kjo procedurë, një operator biznes privat kishte kërkuar leje ndërtimi për ndërtim thertore me investimin e tij privat, por kjo gjë nuk u lejua nga kryetari Bashkisë Tropojë sepse kërkonte ta bënte me njerëzit e tij.
Vjedhja tjetër është me tenderin “Rikonstruksion Rruga Blini i Grisë-Lekurtaj” me vlerë 10,986,652. Edhe këtu ai është fituar nga djali i xhaxhait të kryetarit. Tenderi rezulton i fituar nga kompania “Vllaznimi shpk”. Nëse shohim me kujdes, kjo kompani është nën administrim nga Bashkim Byberi.

Kompania operon në Tropojë e Kukës dhe personi është djalë xhaxhai me kryebashkiakun Rexhë Byberi. Pra duket se kemi një masakër të abuzimeve me tenderët në këtë bashki. Padyshim që në fund pjesa ndahet, disa i merr Rexha e disa djemtë e xhaxhallarëve.

KLSH ka zbuluar shkelje flagrante edhe në procedurën “blerje kamioni”. Fituesi i tenderit është “Timak” ShPK, me administrator znj. Arjeta Puca e promovuar edhe nga vetë kryeministri Rama.
Sipas KLSH, në hartimin e dokumenteve të tenderit dhe ngritjen e grupeve të punës rezulton i njëjti anëtar në dy komisione.
“Me Urdhrin nr. nr. 158, datë 06.07.2021 të Titullarit të Autoritetit Kontraktor (i Autorizuar), është ngritur grupi i hartimit të dokumenteve të tenderit, hartimi i fondit limit dhe specifikimet teknike, ku pjesë e grupit të punës rezulton P.R, i cili është edhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, sipas Urdhrit nr. 162, datë 09.07.2021, pjesëmarrja e një personi njëkohësisht në 2 komisione bie në kundërshtim me VKM nr. 285, datë 19.05.2021, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, neni 75, pika 2 ku citohet: “Personat përgjegjës për hartimin e dokumenteve të tenderit nuk mund të emërohen anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave” dhe ngarkon me përgjegjësi Titullarin e Autoritetit Kontraktor dhe vetë punonjësin, i cili ka deklaruar në të dy rastet”, shprehet KLSH.
Sipas raportit, nga verifikimi i specifikimeve teknike, rezulton se ato janë të cunguara dhe nuk qartësohet procedura për përcaktimin e fondit limit. Hartimi i specifikimeve teknike, nga komisioni i ngritur me Urdhërin nr. 158, datë 06.07.2021, nuk është i argumentuar dhe nuk është i detajuar në funksion të proceseve specifike të punës (e pa argumentuar kërkesa për shpejtësinë maksimale 180 km/h për kamion për grumbullim dhe transport plehrash), duke mos vendosur asnjë specifikim lidhur me kërkesat që duhet të plotësojnë kutia e plehrave, pajisja e sistemit të frenimit emergjent, apo pajisjet e kompresimit të plehrave, etj. Gjithashtu mungojnë skicat për përcaktimin e përmasave të kamionit.
Sipas KLSH, Operatori Ekonomik fitues “Timak” ShPK, rezulton se nuk i plotëson kriteret e vendosura dhe është kualifikuar padrejtësisht. Më tej theksohet se nga verifikimi i buletinit zyrtar të APP-së, Buletini nr.8 datë 18 janar faqja 7 e tij, 2021 rezulton se drejtuesi ligjor i kompanisë ofertuese, rezulton i përjashtuar nga procedurat e tenderimit, si drejtues ligjor i OE “Timak” shpk. “Operatori ekonomik i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit me emër subjekti “TIMAK” shpk, Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, me NIPT L62030020B, me seli në Tiranë, përjashtohet – 18 (tetëmbëdhjetë) muaj (duke filluar nga data 12.01.2021-12.07.2022).
Për rrjedhojë duhet të skualifikohej nga tenderi, dhe nuk duhet të lidhej kontrata e zbatimit nr. 3405 prot, datë 28.09.2021.
“Sa më sipër, kualifikimi i këtij OE është i padrejtë, në kundërshtim me përcaktimet ligjore të ligjit nr. 162, datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik” dhe të VKM nr. 285, datë 09.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.
Ky mosveprim ka sjellë lidhjen e një kontrate me vlerë 6,360,000 lekë pa TVSH me një OE, i cili është shpallur fitues në papajtueshmëri me legjislacionin e PP”, shprehet KLSH. /Pamfleti
Lini një Përgjigje