Një ekspert i rëndësishëm sigurie, që ndjek zhvillimet në sektorin e sigurisë në Serbi, i tha ‘Pamfleti’-t se kemi të bëjmë me një prag furtune në Shërbimin Sekret Serb...
Ka dy- tre ditë që mediat serbe pranë pushtetit, frynë një tollumbace me helium që fliste për një spiun të shërbimit sekret shqiptar në radhët e BIA-s serbe.
Sipas njoftimeve të dhëna nga ‘Veçernie Novosti’, që është një media pranë Kishës Ortodokse dhe Kremlinit, spiuni në radhët e BIA-s është shqiptar që punonte në radhët e shërbimit serb prej vitesh. Gjegjësisht është një ish-pjesëtar i policisë së UNMIK, i cili i ka shërbyer Beogradit për vite e vite, por që më pas është larguar në Serbi, ku është ankuar se i është kërcënuar jeta nga ish-krerët e UÇK-së. Madje personi në fjalë, është edhe një nga bashkëpunëtorët e prokurorisë serbe për të hartuar akuzën ndaj krerëve të UÇK-së që sot janë në Hagë.
Me një fjalë, D.R-ja që sot e hodhi si limon të shtrydhur ka punuar me vite e vite për llogari të BIA-s nga Kosova, e vetëm pak vite është zhvendosur në fshatin Karadak të Rashkës, ku dhe jeton me familjen.
Para pak ditësh, mediat serbe publikuan një histori skandaloze, që fliste për një kamera të instaluar në shkëmb, të cilin D.R si spiun i SHISH-it shqiptar e ka përdorur për të fotografuar lëvizjet e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën. Një budallallëk me brirë, pasi sot, jo vetëm ushtria serbe, por çdo kush është kollaj i arritshëm nëpërmjet pamjeve satelitore të cilat SHBA dhe NATO i ka në kohë reale në çdo orë të ditës. Prova më e saktë janë bombardimet e vitit 1999 ndaj Serbisë, sa edhe kur u godit televizioni shtetëror atje, pësoi dëme ekzaktësisht vetëm dhoma komanduese e shërbimit sekret kinez në RTS dhe jo pjesa tjetër. Me një saktësi lazeri.
Të lexosh Novostin, apo marrinat e tabloidëve të Beogradit, të merr malli për propagandën e viteve 60 të Luftës së Ftohtë në kohën e Enver Hoxhës. Vetëm po të shohësh fotot, llahtarisesh. Një montazh dukshëm i qepur trashë, por megjithatë misteri vijon të mbizotërojë në këtë çështje.

Përse BIA e ka hapur këtë çështje?
Një ekspert i rëndësishëm sigurie, që ndjek zhvillimet në sektorin e sigurisë në Serbi, i tha ‘Pamfleti’-t se kemi të bëjmë me një prag furtune në Shërbimin Sekret Serb.
largimi me dhunë, i shtyrë nga SHBA, e Aleksandër Vulinit, i cili e ktheu BIA-n një degë të FSB-së dhe GRU-së ruse, duket se do të sjellë një tërmet të madh. E për këtë po përdoret një lojë e njohur, për të justifikuar se “armiku na ka hyrë brenda”.
Që shërbimi sekret shqiptar, apo AKI-ja e Kosovës të ketë depërtim në BIA nuk është ndonjë çudi e madhe, siç nuk është çudi as e kundërta, pra që shërbimi sekret serb të ketë spiunë brenda SHISH apo shërbimit sekret të Kosovës.
Spiunazhi, qëllim kryesor ka pikërisht depërtimin në radhët e armikut. Por nuk ka gjasa që spiuni i SHISH të ishte një punonjës i BIA-s në fshatin Karadak, pasi shërbimi sekret serb, punonjësit e tij i fut në territorin e Kosovës, e jo në fshatrat e Rashkës.
Megjithatë eksperti i njohur i sigurisë, i cili gjatë luftës në Kosovë por edhe më vonë, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Serbi, thekson se ka gjasa që loja që po bën Vuçiç në mediat pranë tij, të jetë edhe një mjegull. Ku do të bindë Perëndimin se po bën reformë në shërbimin sekret, e në fund nuk bën asgjë.
Të reformosh një shërbim sekret të konsoliduar dhe me lidhje të forta me të gjithë nëntokën serbe, ruse dhe atë të krimit të organizuar është mjaft e vështirë. Kryeministri i fundit që tentoi të bëjë këtë, Zoran Xhingjiç, u vra pikërisht nga njerëzit më të frikshëm të këtij shërbimi./Pamfleti
Lini një Përgjigje