Nuk është as komisioni i posaçëm dhe madje as komisioni i përhershëm, por i tërë parlamenti që voton për ndryshimet. Pra, është një proces parlamentar...
Dy ditë nga ulja e qeverisë dhe opozitës në tryezë për të çuar përpara një prej reformave më të rëndësishme politike, në një intervistë kryetarja në detyrë e OSBE në Tiranë, Clarisse Pastory thotë se “zgjedhorja” nuk duhet të përjashtojë asnjë faktor politik.
Mesazhi i saj duket se shkon së pari për kryeministrin Edi Rama, i cili pak ditë më parë paralajmëroi se do ta kalojë reformën duke mos pritur konsensusin e komisionit të posaçëm. Nga ana tjetër ajo i ka dhënë një goditje dhe Bardhit me Berishën, të cilët duan të largojnë Alibeajn nga komisioni i posaçëm.
“Gjithëpërfshirëse, pikë së pari, do të thotë me bazë të gjerë, do të thotë që të gjithë. Të gjitha partitë politike, por jo vetëm partitë politike – të marrin pjesë, të kenë mundësinë të shprehin idetë e tyre, të bëjnë sugjerime dhe të dëgjohen. Kjo do të thotë gjithëpërfshirëse. Së dyti, po, sigurisht, nuk kam asnjë dyshim që edhe grupi i z. Bardhi duhet të përfshihet njësoj. Mendoj se ju i referoheni çështjes së kryesimit. Për mua, kjo është një çështje dytësore: kryetari kryeson, kryetari organizon punën e komisionit, kryetari nuk vendos vetë për rezultatet. Nuk është as komisioni i posaçëm dhe madje as komisioni i përhershëm, por i tërë parlamenti që voton për ndryshimet. Pra, është një proces parlamentar, ku të gjithë ata që janë në parlament kanë rol”, tha ajo.
Për grupimin më të madh të deputetëve demokratë që drejtohen nga Gazmend Bardhi dhe që ende nuk e kanë vendosur nëse do të marrin pjesë në punimet e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore për shkak se janë në mosbindje civile ndaj shumicës socialiste, diplomatja e sheh si të domosdoshme pjesëmarrjen e tyre.
“Tani jemi në fazën kur, më në fund mund të them, do të fillojë puna përmbajtësore në komisionin e posaçëm, dhe shpresoj vërtet që të gjithë pjesëmarrësit ta përdorin këtë instrument, këtë komision, të shkojnë atje, të marrin pjesë, të bëjnë sugjerime aktive. Do të zhgënjehesha pa masë nëse ata nuk do të merrnin pjesë dhe nëse do ta humbin mundësinë për të bërë sugjerimet e tyre, të cilat jam e bindur që janë të mirëmenduara dhe të mirëmbështetura”, tha ajo për “Vizion Plus”.
-Reforma Zgjedhore gjithnjë ka qenë produkt i diskutimeve, debateve, propozimeve mes mazhorancës dhe opozitës. Mendoni se komisioni bipartizan është rruga qe politika, qeveria duhet te ndjekë?
Nuk është modeli i vetëm apo roli i vetëm. Mendoj se është një model i testuar mirë në këtë vend, por, siç thuhet, për tangon duhen dy vetë. Tani është koha për të gjetur një sistem që plotëson kërkesat e këtij vendi, në këtë kohë, për vitin e ardhshëm 2025. E di që ka probleme për kryesimin, kush e çfarë. T’ju them të drejtën, mendoj se kjo është paksa jashtë debatit. Paketa duhet të dëgjohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të jetë sa më konsensuale që të jetë e mundur.
-Nëse qeveria dhe opozita kanë probleme për të bërë një reformë zgjedhore të mirë, roli i OSBE-së do të jetë vetëm teknik apo edhe politik?
Roli ynë është të dyja. Ne jemi plotësisht të gatshëm, nëse na kërkohet, të ndihmojmë me zgjidhje teknike – pra, nëse njerëzit pyesin si ta zgjidhim këtë, çfarë rekomandoni, cilat janë praktikat më të mira, ne ju ndihmojmë. Po ashtu, jemi plotësisht të gatshëm dhe ofrohemi për të lehtësuar kompromisin politik, nëse na kërkohet. Ne kurrë nuk imponohemi, por nëse na kërkohet që të ulim bashkë njerëzit dhe të përpiqemi të krijojmë kompromis, jemi shumë të gatshëm për ta bërë këtë. Por është e rëndësishme të kemi gjithmonë në mend: ne nuk jemi aktorë, këto janë zgjedhjet tuaja, kjo është reforma juaj zgjedhore. Na përdorni, na thërrisni – ju presim – por mos mendoni se do të zgjidhim gjithçka për ju.
Lini një Përgjigje