
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull situatës politike në Shqipëri, duke raportuar se kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do të ndryshojë ligjin për të mbrojtur ministrat nga pezullimi gjatë kohës që janë nën hetim penal.
Sipas Reuters, nisma ka nxitur reagimin e opozitës, e cila e akuzon kreun e qeverisë për përpjekje për të mbrojtur veten dhe për të dëmtuar pavarësinë e gjyqësorit.
Debati lidhet me rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila u pezullua nga detyra në nëntor, pas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ajo akuzohet për ndërhyrje të dyshuar në një tender për projekte infrastrukturore, akuza që i ka mohuar.
Reuters shkruan se SPAK i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të Ballukut për të lejuar arrestimin e saj, ndërsa Rama ka kundërshtuar atë që e cilëson si “tejkalim gjyqësor”, veçanërisht sa i përket masës së paraburgimit.
Partia Socialiste, e cila siguroi mandatin e katërt radhazi në zgjedhjet e fundit, ka një shumicë të konsiderueshme parlamentare. Sipas agjencisë, mbetet e paqartë nëse dhe kur Kuvendi do të shqyrtojë kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut.
“Në momentin që shkarkohet një ministër, shkarkohet jo vetëm një person, por e gjithë puna e atij institucioni”, citohet të ketë thënë Rama para deputetëve të Partisë Socialiste, duke njoftuar planin për ndryshimin e ligjit.
Shkrimi i plotë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se qeveria e tij do të ndryshojë ligjin për të mbrojtur ministrat nga pezullimi gjatë kohës që janë nën hetim penal. Kjo nismë nxiti reagimin e opozitës, e cila e akuzoi atë se po përpiqet të mbrojë veten dhe po dëmton pavarësinë e drejtësisë.
Një gjykatë pezulloi në nëntor zëvendëskryeministren Belinda Balluku, pasi ajo u mor e pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për ndërhyrje të dyshuar në një tender për projekte infrastrukturore. Balluku i mohon akuzat. Çështja ka shkaktuar përplasje mes SPAK-ut, i cili i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të saj për të mundësuar arrestimin, dhe kryeministrit Rama, i cili ka shprehur shqetësim për atë që e cilëson si tejkalim të kompetencave nga ana e drejtësisë, veçanërisht në lidhje me paraburgimet.
Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, por BE-ja ka theksuar se vendi duhet të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Partia Socialiste e kryeministrit Rama, e cila vitin e kaluar siguroi mandatin e katërt radhazi, gëzon një shumicë të konsiderueshme në Parlament. Ende nuk është e qartë nëse dhe kur Kuvendi do të vendosë për heqjen e imunitetit të Ballukut, e cila ka shërbyer edhe si ministre e Infrastrukturës dhe konsiderohet aleate e afërt e kryeministrit.
“Në momentin që shkarkohet një ministër, nuk shkarkohet vetëm një person, por cenohet e gjithë puna e atij institucioni,” u shpreh Rama para deputetëve të partisë së tij të hënën, duke njoftuar planin për ndryshimet ligjore.
Opozita ka organizuar një seri protestash në muajt e fundit në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e Ballukut. Të hënën, ajo deklaroi se ndryshimet e propozuara synojnë të ndikojnë proceset gjyqësore në favor të kryeministrit.
“Kjo nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje e Ramës për të mbrojtur veten, duke minuar pavarësinë e gjyqësorit dhe ndarjen e pushteteve… sepse pas Ballukut dhe shkeljeve të saj qëndron Rama,” thuhet në një deklaratë të Partisë Demokratike, dërguar agjencisë Reuters.
Lini një Përgjigje