TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Mars 2023, 10:58

Regjistrimi në KQZ për zgjedhje, tre deputetët e Alibeajt tentativa për bashkim deri të premten me Berishën

Shkruar nga Pamfleti

Regjistrimi në KQZ për zgjedhje, tre deputetët e Alibeajt

Gazmend Bardhi, Merita Bakiu dhe Flamur Hoxha janë tre të deleguarit e grupimit “Alibeaj” që do të tentojnë të krijojnë komunikim me grupin e drejtuar nga Sali Berisha.

Mësohet se tentativat do të vijojnë deri të premten me qëllim bashkimin e partisë që prej 1 viti e gjysmë është në kaos.

Kujtojmë se të hënën, grupimi “Alibeaj” mbajti një takim maratonë dhe u propozua një platformë me tre pika duke kërkuar bashkimin dhe daljen me një kandidat të përbashkët të demokratëve në zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Të dy grupimet si ai i Berishës, ashtu edhe ai i Alibeajt kanë depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat për t’u regjistruar në garën elektorale të 14 Majit.

Këto lëvizje në kampin blu vijnë në një kohë kur brenda kësaj jave KQZ-ja duhet të shprehet për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhje, pasi të shqyrtojë më parë dokumentacionet e dorëzuara nga të dy grupimet.

Ndërkohë ditën e djeshme ish-kryeministri Sali Berisha tha se vendosur të shkojë në zgjedhje në krah të Ilir Metës dhe jo të Alibeajt dhe demokratëve të tjerë.

Ai theksoi se Alibeaj dhe Basha janë pengje të kryeministrit Edi Rama dhe se përdoren prej tij për të dëmtuar PD.

“Nuk ka marrëveshje me pengjet po nuk i la pengmarrësi. Lulzim Basha me daljen në dritë të aferës me McGonigal është e qartë që mbyllja e dosjes së Bashës është marrje peng nga Rama. Peng është dhe Alibeaj. Me pengun nuk ka negociata. Ata që më thonë se mund të negociojnë me Bashën dhe Alibeajn ata mendojnë se mund të negociohet me hiçin. Ata janë vegla në duart e Ramës”, tha ai.

pd alibeaj berisha

Lini një Përgjigje