TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Janar 2026, 17:58

"Regjimi goditi rininë në protestë", Xhaferri: Policë civilë i rrëmbyen larg kamerave

Shkruar nga Pamfleti

"Regjimi goditi rininë në protestë", Xhaferri:

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka folur lidhur me atë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në protestën e opozitës, duke denoncuar një skemë të rëndë dhune ndaj të rinjve pas shpërndarjes së tubimit.

Sipas Xhaferrit, policë civilë kanë vepruar në mënyrë të fshehtë, duke “gjuajtur” dhe marrë peng të rinj të veçuar nga turma, larg kamerave dhe syrit të publikut.

Ai rrëfeu se ishte dëshmitar okular i ngjarjes, se i filmoi dhe i konfrontoi agjentët civilë, duke u prezantuar si deputet, por pa arritur të ndalojë arrestimet. Sipas tij, të rinjtë e ndaluar ndodhen ende në qeli.

Në deklaratën e tij, Xhaferri e lidhi këtë ngjarje me revoltën në rritje të rinisë shqiptare, e cila, sipas tij, buron nga kriza e thellë e strehimit, varfëria dhe mungesa e perspektivës. Ai akuzoi qeverinë për politika anti-rini dhe për përdorim të dhunës shtetërore për të frikësuar protestuesit, duke ngritur alarmin edhe për përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar gjatë protestës.

Duke komentuar reagimin e kryeministrit Edi Rama, Xhaferri u shpreh se mungesa e reagimeve nga partnerët ndërkombëtarë e ka nxjerrë atë të izoluar dhe të tronditur, ndërsa u bëri thirrje të rinjve të mos largohen nga vendi, por të protestojnë për largimin e qeverisë.

“Atëherë, pas shpërndarjes së protestës në bulevard, po shkoja nga RTSH-ja dhe më pas drejt selisë për t’u bashkuar në Parlament. Pashë lëvizje të dyshimta të katër individëve, të cilët sot, me eksperiencën që kemi, i dallojmë që janë policë civilë. Janë këta “fuksat” që futen në turmë, që në turmë nuk bëjnë asgjë, por taktikën e tyre e kanë që, pasi shpërndahet protesta, të shkojnë dhe të godasin dy ose tre veta. Sepse ai që ka bërë dhunë nuk ikën vetëm, mundohet të mbrohet dhe të ruhet.

Por unë po flas për qytetarë që s’kanë bërë asgjë aty, pjesëmarrës në protestë që nuk kanë kryer asnjë akt vandal. Ata shkojnë normalisht, dhe këta pikërisht mundohen t’i marrin peng. Kjo është një marrje peng dhe kjo ndodhi aty.

Unë pata fatin që e konstatova dhe i inçizova. Pashë këta katër individë dhe dy prej tyre i pyeta: “Çfarë po bëni? Po përpiqeni të arrestoni dikë?”, sepse po lajmëronin patrullën. Më thanë: “Çfarë ke ti?”. U thashë: “Jam deputet i Kuvendit dhe po ta them edhe një herë, mos tentoni të arrestoni askënd. Ik, se unë jam në punën time, jam protestues”.

Pastaj pashë dy të tjerë që po vraponin dhe aty fillova t’i incizoja. I ndoqa, u konfrontova fizikisht dhe bëra maksimumin tim, edhe pse patjetër nuk ishte e mjaftueshme. Erdhën patrullat e Shqiponjave, rreth 10–12 policë. Në atë moment erdhën edhe mediat, por ishte e pamundur: djemtë i morën dhe ata djem janë ende brenda sot.

Unë nuk justifikoj më asnjë polic që dhunon të rinjtë në shkelje të ligjit. Ata të rinj nuk janë kapur në flagrancë; u kapën te ETC-ja, nuk ishin në protestë. Nuk kishte kohë të mjaftueshme për të analizuar pamjet filmike dhe për t’i identifikuar nëse kishin bërë diçka. Ata janë kapur vetëm për statistikat e Ilir Prodës, për t’ia çuar shefit të tij, Edi Ramës dhe Ergys Agasit, që të thotë: “Sot arrestova kaq dhe bëra punën”.

 

Nuk kishte as flagrancë, asgjë. Nëse këta civilë janë kaq trima, le të ndërhyjnë në flagrancë, në turmë. Por aty kanë frikë. E pamë një qytetar që me një çadër e ndoqi policin. Kur janë vetëm, ikin me vrap. Dhe këtë duhet ta dinë qytetarët shqiptarë: një ditë ata do jenë të gjithë vetëm dhe të gjithë përballë ligjit.

Ndërhyrjen e bëjnë pasi shpërndahet masiviteti i popullatës. Kapin vetëm grupe me dy veta, nuk shkojnë te turma. Shkojnë vetëm për të bërë represalje, për të bërë pengmarrje. Ligjërisht ajo është pengmarrje.

Pa futur këtu edhe gazin e skaduar. Tre vjet i skaduar. Mund ta pranoj një muaj, po tre vite? Ajo është gjenocid. Po tenton, si Asadi, të helmosh popullin, jo vetëm protestuesit, por gjithë zonën e Tiranës ku ka banorë. Janë helmuar njerëz. Nuk e dimë çfarë pasojash shëndetësore do ketë, por ne e kemi marrë përsipër këtë kosto dhe nuk ka më rëndësi.

Rinia duhet të vazhdojë të jetojë. Të mos bëhemi hipokritë pse janë në kafe apo klube – kanë të drejtën e tyre. Por ka shumë të rinj idealistë dhe të revoltuar që do bashkohen. Revolta po rritet në mënyrë eksponenciale. Edhe nëse nuk dalin në protestë, në ato kafe ku janë ulur flitet për protestën, për problematikat, për hallet e përditshme.

Detyra jonë është të bëhemi lidhja, ilaçi që i bashkon dhe i çon drejt revoltës popullore për rrëzimin e këtij regjimi. Asnjë i ri nuk është më i kënaqur në këtë vend. Asnjë. As patronazhistëve nuk u mjafton rroga për të kaluar muajin.

Të rinjtë i rikthen mirëqeverisja. I rikthen një qeveri që qeveris mirë, siç ndodhi në vitet 2006–2010. Opozita bën thirrje për rikthim, por të rinjtë do kthehen vetëm kur të kenë shpresë. Ata që janë larguar e kanë bërë protestën e tyre absolute duke ikur.

Të rinjve që kanë mbetur u themi: protestën tuaj bëjeni me ikjen e Edi Ramës. Mos ikni ju le të ikë Edi Rama. Le të ikë azilant në Rusi, dhe ju të qëndroni në trojet tuaja, në tokën ku keni lindur. Ata që kanë ikur kanë bërë aktin më të dhimbshëm ndaj vetes: kanë lënë prindërit. Ndarja për së gjalli nga prindërit është dhimbja më e madhe.

Prandaj, atyre që kanë mbetur u themi: protestoni me ikjen e Edi Ramës, jo me ikjen tuaj. Ora e tij ka mbaruar, dhe ora jonë për të qëndruar këtu ka ardhur.

Në protestat e para një ose dy viteve më parë, reagimet vinin shpejt nga ambasadorët e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Anglisë. Tani kanë kaluar 24 orë dhe asnjë reagim. Kjo e ka detyruar atë të bëjë reagimin e pështirë që bëri. Ai sot është një njeri i vetmuar. Partnerët ndërkombëtarë të mbajnë partner për një kohë; më pas bëhesh mall i skaduar.

Si gazi lotsjellës që hodhi, edhe Edi Rama është një kryeministër i skaduar. Mua kjo gjuhë më duket e përshtatshme për nivelin e tij. Ai është Edi Rama. Çdo gjuhë tjetër është e papërshtatshme për të. Është një njeri pa formim, që nuk merr vesh nga makroekonomia, mikroekonomia, ligji, fisku, politika monetare. Di vetëm dhënien e lejeve të ndërtimit dhe pastrimin e parave. Dhe ndonjë laps e lolaps që vizaton në letër. Ai ka probleme të thella me formimin dhe me balancën psikologjike”, tha ai për “Syri Tv”.

Lini një Përgjigje