Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, ka deklaruar se reforma territoriale përbën çështjen kyçe që kërkon zgjidhje dhe vëmendje të menjëhershme politike. Sipas tij, ky proces nuk duhet parë thjesht si rishikim i kufijve administrativë, por si një instrument për të garantuar që bashkitë të kenë kapacitete reale për të përballuar sfidat e qeverisjes vendore.
Demo theksoi se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent, me përfshirjen e të gjitha forcave politike. Ai nënvizoi se reforma duhet të mbështetet në të dhëna konkrete dhe në përvojën e dhjetë viteve të fundit, duke analizuar problematikat dhe sfidat me të cilat janë përballur bashkitë.
Ministri paralajmëroi se reforma territoriale përfshin edhe ndërlikime kushtetuese, pasi qarqet janë të parashikuara në Kushtetutë dhe çdo ndryshim i tyre sjell pasoja në sisteme sensitive, përfshirë Kodin Zgjedhor. Ai pranoi se 12 qarqet aktuale janë krijuar në një kontekst tjetër historik dhe se ka hapësirë për debat, por theksoi se kjo çështje duhet trajtuar me kujdes dhe në kohën e duhur.
Demo u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë, përfshirë opozitën, që të jenë proaktivë dhe të kontribuojnë në krijimin e një procesi serioz dhe të hapur.
“Elefanti në dhomë është reforma territoriale. Nëse përmenda nisma të ndryshme, reforma territoriale është instrument për të garantuar që bashkitë që në nisje të kenë mundësitë, asetet, kapacitetet dhe potencialin e mundshëm, të jenë të gatshme që t’i përballojnë të gjitha këto sfida. Reforma territoriale, të gjitha partitë janë të përfshira. Procesi, i cili do të fillojë në pak ditë, duhet të jetë transparent. Nuk duhet ta përcaktojmë si një proces që thjesht do të ndryshojë kufijtë e bashkive, do të ishte qasje e gabuar. Besoj se duhet të bazohet në të dhëna, eksperiencë, çfarë ka ndodhur gjatë 10 viteve të fundit në territor, sfidat e bashkive apo problematika të tjera. Duhet të jemi të sinqertë dhe të ndërgjegjshëm sa i përket rëndësisë së reformës për mënyrën si do të menaxhojmë territorin, si qytetari do të ndërveprojë me institucionet lokale. Është një hap shumë i rëndësishëm, një sfidë jo e vogël, por një mundësi e jashtëzakonshme.
Shpresoj që të kemi një reformë që mos të durojë 10 vjet, por të bëjë një kërcim edhe më shumë. Duhet të shikojmë përpara atë që do të ndodhë në vitet dhe dekadat përpara. U bëj thirrje të gjithë aktorëve të jenë proaktivë dhe kuptohet që kjo reformë do të udhëhiqet politikisht në parlament, por edhe nga Ministria. Ne duhet të kuptojmë komplikacionet në nivelin e tretë. Qarqet janë të parashikuara në Kushtetutë. Vetvetiu, ndryshimi i tyre si rrjedhojë sjell ndryshime të tjera në sisteme me sensitivitet si Kodi Zgjedhor. 12 qarqet që kemi sot janë krijuar në një kontekst tjetër dhe ka vend për të diskutuar, por nuk dua të kaloj më përpara se ç’duhet. Në javët që vijnë besoj do të jetë një debat i hapur. Shpresoj që opozita të jetë proaktive në këtë proces dhe të krijojë shtratin e duhur për këtë proces. Ky proces tashmë ka filluar, do të jetë një proces i hapur, u bëj thirrje të gjithë aktorëve që të përfshihen”, tha Demo.
Lini një Përgjigje