TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Shtator 2025, 14:37

"Rasti është i ububushëm!", Rama sulmon publikisht gjyqtarin Boshku: Shkelësi brutal u kthye në krye të AMP!

Shkruar nga Pamfleti
"Rasti është i ububushëm!", Rama sulmon publikisht
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me sulmet ndaj drejtësisë, teksa ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të gjyqtarit Boshku, i cili sipas tij ka urdhëruar rikthimin në detyrë të një ish-drejtuesi të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore në Vlorë, të shkarkuar për shkelje të rënda ligjore dhe të kallëzuar penalisht në Prokurori.

Në një postim të gjatë, Rama denoncoi se personi në fjalë, duke qenë në krye të një institucioni ligjzbatues, jo vetëm ndërtoi pa leje në Ksamil, por edhe falsifikoi dokumente për të pretenduar legalizimin e objektit, duke gënjyer se ishte ndërtuar në vitin 2018. 

"Një tjetër sport i gjykatësve pa flamur e pa atdhe të Drejtësisë së Vjetër vazhdon edhe sot," shkruan Rama, duke kritikuar ashpër vendimin e gjyqtarit që sipas tij ka injoruar faktet, shtetin si palë dhe ka vendosur madje edhe pagesa dëmshpërblimi për personin e shkarkuar.

Ai e cilëson rastin “të ububushëm” dhe e quan ish-drejtorin e AMP-së “birbo pa din e pa iman” dhe “ujk me mëlçi në qafë”.

Kryeministri paralajmëroi se Ministria e Drejtësisë do të referojë rastin pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), ndërsa gjyqtarëve që marrin vendime të tilla u dërgon një mesazh të qartë:

“Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke e përdorur pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia, do të përballet me keqbërjen e vet jo vetëm në organet e vetëqeverisjes së gjyqësorit, por edhe në sytë e opinionit publik.”, thotë kryeministri Rama.

Reagimi i plotë:

Një tjetër sport tradicional i gjykatësve pa flamur e pa atdhe të Drejtësisë së Vjetër, fatkeqësisht vazhdon të ushtrohet edhe nga gjykatës më të rinj, të cilët duhet të mbajnë lart flamurin e Drejtësisë së Re me pavarësinë, profesionalizmin e integritetin e tyre.
Pa asnjë gajle fare, gjykatësi Boshku, ka vendosur të kthejë fishek në detyrë një shkelës brutal të ligjit dhe mashtrues të kapur me presh në duar, e për pasojë edhe të larguar nga detyra e të çuar në prokurori!
Rasti është i ububushëm!
Si drejtues rajonal i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore - pra i trupës që ligji ngarkon për të kontrolluar veprimet dhe garantuar integritetin e Policisë së Shtetit - një birbo pa din e pa iman, jo vetëm kishte marrë pjesë në një ndërtim pa leje në Ksamil (i denoncuar nga njerëzit e zonës), po edhe kishte mashtruar me shkrim, duke pretenduar legalizimin e ndërtimit, me gënjeshtrën se ndërtimi ishte bërë në 2018-ën.
Por fotot satelitore nxorrën bishtin e gjatë të gënjeshtrës, duke provuar se ndërtimi është bërë shumë kohë pas vitit 2020; vit që sipas ligjit është edhe viti i fundit për marrjen në shqyrtim të kërkesave për legalizim.
Pra birboja kishte ndërtuar pa leje duke qenë edhe drejtor i një institucioni ligjzbatues, gjë që çoi në largimin e tij nga AMP-ja dhe dorëzimin e rastit të tij në Prokurorinë e Sarandës.
Mirëpo, ka ligj ka edhe Maliq i thonë kësaj, sepse ndërkohë që shteti, përmes Policisë kërkon nga drejtësia në Sarandë ndëshkimin ligjor të birbos, drejtësia në Tiranë, përmes gjykatësit Boshku, kërkon nga shteti të rimarrë birbon në krahët e vet. Madje ta përqafojë dhe ta ulë përsëri në karrigen e drejtorit!
Çfarë të thuash!!!
Ministria e Drejtësisë, do t’ia përcjellë keqbërjen e gjykatësit Boshku organeve të vetëqeverisjes së gjyqësorit (KLGJ - ILD), ndërsa me birbon uroj të merret seriozisht drejtësia.
Por me këtë rast, dua t’u përcjell një mesazh të qartë edhe gjykatësve si ky Boshku, që pa parë fare dosjet, pa thirrur fare, hiç, shtetin si palë e dëmtuar, urdhërojnë kthimin në punë të të larguarve nga detyra për paudhësira, si puna ulëritëse e këtij ujkut me mëlçi në qafë të AMP-së së Vlorës; madje vendosin pa pikë turp si detyrime të shtetit, kaq e aq paga dëmshpërblim për tipa të tillë.
Mesazhi im është ky:
Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke e përdorur pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia, e duke dhënë vendime haptazi të paligjshme në dëm të interesit publik, do të përballet me keqbërjen e vet jo vetëm në organet e lartpërmendura të vetëqeverisjes së gjyqësorit, po edhe në sytë e opinionit publik

Lini një Përgjigje