
Nga parti të vogla opozitare është hedhur idea për një kandidaturë jashtë politikës, si të vetmen mundësi për fitore
Nga Asambleja e Partisë Socialiste, Edi Rama njoftoi në 11 shtator se Bashkia e Tiranës do të shkonte në zgjedhje të pjesshme, ndërsa i kërkoi Këshilli Bashkiak të shkarkonte Erion Veliajn si Kryebashkiak të kryeqytetit.
Paralelisht me këtë vendim, Rama shpalli kandidaturën e Ogerta Manastirliut për garën që do të mbahet në Tiranë, ndërsa mandati i kryebashkiakut në detyrë përfundon në 2027-ën.
Ky vendim i Ramës duket se ka kapur të papërgatitur opozitën, edhe pse prej muajsh, këshilltarët e saj në Këshillin Bashkiak kërkonin shkarkimin e Veliajt, i arrestuar me urdhër të SPAK prej 10 shkurtit 2025.
E ndërsa Rama ka zyrtarizuar edhe kandidaten për Tiranën në një proces që nuk dihet ende se kur mund të mbahet, opozita e drejtuar nga PD është në dilemën që duhet marrë pjesë ose jo në zgjedhje. Mes demokratëve janë dy rryma: e para që në zgjedhje të mos merret pjesë, përsa kohë akuzohet Edi Rama për farsën zgjedhore të 11 majit, ndërsa e dyta mbështet idenë e pjesëmarrjes në zgjedhje me një kandidaturë të fortë. Mbështetësit e kësaj linje mendojnë se nëse PD dhe aleatët e saj, apo e gjithë opozita, dalin fitues në garën e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, kjo do të ndikojë pozitivisht në frymën opozitare.
Deri më tani ka pasur reagime nga figura dytësore në PD që më së shumti i përkasin linjës së bojkotit. Janë të njëjtët që i sugjeronin Berishës që PD të mos merrte mandatet e deputetëve në Kuvend, pasi kështu legjitimonte atë që e konsideron si farsa e 11 majit. Ndërkohë nga parti të vogla opozitare është hedhur idea për një kandidaturë jashtë politikës, si të vetmen mundësi për fitore. Kjo ide kryesisht është artikuluar nga deputeti Agron Shehaj, por është mbështetur edhe nga të tjerë opozitarë, që ndoshta mund të bashkohen me PD-në vetëm në rast të një emri jo politik.
Por çfarë ndodh në rradhët e PD-së, dhe kush janë emrat që rezultojnë më të kuotuarit?
Jorida Tabaku, deputetja që mori mandatin nga lista e hapur e Qarkut të Tiranës, rezulton si emri që kuotohet më së shumti në rradhët e demokratëve. Megjithëse ende nuk dihet nëse ajo do të pranojë të lëshojë mandatin e deputetit për të hyrë në një garë të pjesshme, me mandat të kufizuar për Bashkinë e Tiranës, kjo garë mund të jetë si një pedanë e fortë për të, nëse del fituese. Madje ajo do të eklipsonte edhe shumë nga emrat apo figurat në rradhët e demokratëve, që herë pas here konsiderohen si pretendentë për postin e kryedemokratët.
Emri i dytë më i kuotuar është ai i doktorit Ilir Alimehmeti, që nuk arriti të marrë mandat në 11 maj, por mundi të mbledhë rreth 18 mijë vota, duke u renditur si i dyti më i votuar i listës së hapur të PD-së në qarkun e Tiranës. Alimehmeti e tentoi edhe në 2023 Bashkinë e Tiranës përmes primareve, por nuk arriti më shumë se një balotazh, në një garë që ngriti shumë dyshime dhe fituesi ishte i paracaktuar. Sot emri i doktorit që shihet si një politikan i ri, që mund të përçojë një tjetër frymë në rradhët e opozitës, lakohet sërish për garën e Bashkisë së Tiranës.
Emri i tretë në listën e demokratëve është Ilda Zhulali, anëtare e Këshillit Bashkiak, e cila mund të hyjë në garën e pjesshme për pozicionin e Kryebashkiakut. Zhulali ka mbajtur një seri funksionesh, kryesisht në raport me ndërkombëtarët, por nuk është e sprovuar në garat elektorale. Gjithsesi, ajo shihet si një alternativë e tretë, nëse Tabaku dhe Alimehmeti nuk pranojnë të garojnë. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje