Partia Demokratike, përmes një raporti të detajuar, që është depozituar në të gjitha selitë diplomatike në Tiranë, akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën socialiste në Kuvend se ka degraduar standardet demokratike.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në një dokument që mban firmën e Gazment Bardhit, denoncon atë që e cilëson si pamundësim të rolit të opozitës dhe degradim të vazhdueshëm të standardeve demokratike në funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë. Dokumenti i është drejtuar edhe Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Sipas raportit, mazhoranca parlamentare akuzohet se po kufizon sistematikisht të drejtat e opozitës, duke refuzuar mekanizmat kryesorë të kontrollit parlamentar. Në dokument theksohet se:
Janë refuzuar kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore, pavarësisht detyrimeve kushtetuese.
Interpelancat me Kryeministrin dhe ministrat nuk janë zhvilluar brenda afateve ligjore ose janë refuzuar.
Mocionet me debat për çështje me interes publik nuk janë lejuar të zhvillohen.
Propozimet ligjore të opozitës janë refuzuar në mënyrë tërësore dhe pa arsyetim.
Opozita pretendon se këto veprime përbëjnë një strategji për të dobësuar rolin e saj në Parlament.
Sipas dokumentit, opozitës i është refuzuar ngritja e 5 komisioneve hetimore, 7 interpelancave me Kryeministrin dhe 2 me zv.kryeministrin, 6 mocione me debat dhe 71 iniciativa ligjore.
Gjithashtu, raporti evidenton se në disa raste projektligjet janë votuar pa debat parlamentar, duke kufizuar transparencën dhe diskutimin publik.
Raporti ngre shqetësime edhe për përjashtimin e opozitës nga procesi i emërimeve në institucionet e pavarura, politizimin e këtyre institucioneve, siç evidentohet edhe në raportin e Komisionit Europian për vitin 2025, mungesën e informimit të Kuvendit mbi procesin e integrimit europian, si dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në disa raste.
Në dokument citohen edhe konstatime të Komisionit Europian, sipas të cilave funksionimi i Parlamentit në Shqipëri është “pjesërisht efektiv” dhe ndikohet nga polarizimi politik dhe mungesa e dialogut. Po ashtu, Delegacioni i BE-së ka theksuar rëndësinë e rolit të opozitës në jetën demokratike të vendit.
Grupi Parlamentar i PD shprehet se mbetet i angazhuar në kuadër institucional, por paralajmëron se nuk do të pranojë, sipas tyre, “asgjësimin e parlamentarizmit”. Në fund të raportit shtrohet pyetja mbi mundësinë reale të ushtrimit të rolit të opozitës në kushtet aktuale.
“Qëndrimi politik i shumicës për të bllokuar çdo të drejtë kushtetuese të opozitës, refuzimi i çdo iniciative ligjore, përjashtimi i saj nga procesi i emërimeve në institucionet e pavarura, apo përjashtimi i saj nga procesi i integrimit, e bën rolin e deputetëve të opozitës në Parlament jo vetëm të papërfillshëm, por mbi të gjitha një fasadë të një normaliteti të rremë, që minon vetë parimet dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik. Kjo situatë vë seriozisht në pikëpyetje vetë qëllimin e vazhdimit të pranisë së opozitës në Parlament. Nëse opozita nuk mund të diskutojë çështje me interes publik, nuk mund të ushtrojë mbikëqyrje mbi qeverisjen, nuk mund të propozojë ligje apo amendamente në dobi të qytetarëve, dhe nëse të drejtat e saj kushtetuese shpërfillen, atëherë roli i saj bëhet thjesht formal, duke dështuar në përmbushjen e përgjegjësive demokratike”, thuhet ndër të tjera në Raportin e Grupit Parlamentar të PD.
Në raport shtrohet edhe një pyetje se “duke mbajtur në konsideratë të gjitha pengesat sa më sipër, si mund ta luaj opozita rolin e saj të rëndësishëm në parlament dhe në jetën demokratike të vendit?”.
Për më tepër, theksohet se “ndonëse ne mbetemi të përkushtuar për të vepruar brenda kuadrit institucional demokratik, nuk do të pranojmë kurrë asgjësimin e parlamentarizmit apo mohimin e të drejtave tona kushtetuese”.
“Një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por që shkel rregullat bazë të bashkëjetesës demokratike brenda Parlamentit, ku shumica dhe opozita kanë rolet dhe përgjegjësitë e tyre përkatëse, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një propagandë e një normaliteti të rremë. Ne duam që Shqipëria të ecë drejt Bashkimit Evropian jo përmes propagandës boshe, por përmes standardeve të mirëfillta dhe institucioneve që funksionojnë në mënyrë demokratike, duke nisur nga institucioni që përbën thelbin e Republikës sonë – Kuvendi i Shqipërisë”, theksohet në dokument.
Lini një Përgjigje