Kolumnisti Damir Rastoder ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” tashmë po i numëron orët e fundit para vdekjes përfundimtare, ndërsa iniciatorët e saj, sipas tij, e bënë që kjo të iniciativë ballkanike të dështonte.
Rastoder ka shkruar në mediumin sarajevas “Politicki.ba” se Kosova gjendet në një situatë më të keqe se kurrë që nga fundi i luftës në 99-n, derisa ka thënë se vendet e rajonit gjenden më pranë konfliktit sesa çdo lloj bashkëpunimi. Një hap drejt dështimit të “Ballkanit të Hapur”, të nisur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sipas kolumnistit e kishte çuar ideja për një botë serbe.
“Projekti që në fillim kishte vulën personale të Vuçiqit dhe të Ramës ndikoi shumë në rezultatin përfundimtar të tij. Dyshimet, sidomos ndaj Vuçiqit, madje edhe ndaj ‘Ballkanit të Hapur’, u shtuan kur nga Serbia u hodh ideja e një ‘bote serbe’. Përputhja politike e dy projekteve, në përmbajtje dhe në thelb, është më se e dukshme, aq sa ‘Ballkani i Hapur’ cilësohet si një emër tjetër për ‘botën serbe’. Dallimi i vetëm është se ‘Ballkani i Hapur’ mbrohet me argumente ekonomike, kurse ‘bota serbe’ me nevojën e bashkimit kulturor dhe shpirtëror të të gjithë serbëve, pavarësisht se ku jetojnë. Kur edhe Sergej Lavrov i dha mbështetje të hapur ‘Ballkanit të Hapur’, ai praktikisht i nguli gozhdën e fundit këtij projekti”, ka shkruar ai.
Sipas tij, kur pro nismës “qëndroi me gjithë zemër” edhe Hungaria, u bë e qarta që “Ballkani i Hapur” nuk do të kishte sukses. Në kolumnën e tij, Rastoder shtroi çështjen edhe të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për këtë nismë.
“Pse SHBA-të e mbështetën projektin? Vetëm dikush që nuk di asgjë ose ka qëllime të këqija mund ta mbështesë këtë nismë të vdekur politikisht. Ai dikush është Gabriel Escobar. Megjithatë, asgjë nuk është befasuese nga një diplomat amerikan që ka jetuar dhe punuar në rajon për kaq shumë kohë dhe që pretendon se korrupsioni dhe një ekonomia e dobët janë problemet kryesore në Ballkan, jo urrejtja, nacionalizmi, populizmi, hegjemonia...Nëse ka ndonjë logjikë në këtë eksperimentim të Escobarit, atëherë ajo duhet kërkuar për të kënaqur orekset e të fortëve (serbëve dhe shqiptarëve) në kurriz të kombeve të mbetura e më të vogla ballkanike”, shkroi ai.
Kolumnisti i mediumi sarajevas ka theksuar edhe i dërguari i SHBA-së, Escobar, besonte se “Ballkani i Hapur” do ta lehtësonte zgjidhjen e problemit të Kosovës “për shkak të rolit proaktiv të Shqipërisë, duke injoruar marrëdhëniet komplekse mes Tiranës e Prishtinës”.
Për ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, Rastoder, shkroi se ajo kishte nisur Procesin e Berlinit me qëllim të inaugurimit së “stabilokracisë” në Ballkan, që siguronte paqe dhe shtim të demokracisë.
Ai ka theksuar se efektet e dobëta të Procesit së Berlinit çuan në nismën e “Ballkanit të Hapur”.
“Në Serbi projekti pati mbështetjen më të madhe. Zërat kundër “Ballkanit të Hapur” mezi dëgjoheshin ose ishin sporadikë. Në Maqedoni kjo mbështetje nuk ishte plebishitare, madje presidenti Stevo Pendarovski shprehu rezerva për këtë projekt. Në Shqipëri, sipas hulumtimit të kryer atje, vetëm 26% e të anketuarve e kanë vlerësuar pozitivisht nismën. Në Kosovë, qeveria dhe opozita, si dhe sektori civil, pothuajse unanimisht refuzuan të diskutojnë fare për ‘Ballkanin e Hapur’, sepse procesi i Berlinit është një kornizë më e mirë dhe më e pranueshme për bashkëpunim rajonal, sepse zhvillohet nën patronazhin e BE-së. Në Mal të Zi ka pasur një polarizim të qartë të shoqërisë edhe për këtë çështje. Partitë pro-serbe dhe natyrisht Dritan Abazoviq shprehën gatishmërinë për t'iu bashkuar “Ballkanit të Hapur”, ndërsa pjesa sovraniste e spektrit politik u shpreh shprehimisht kundër.”, thuhet në shkrimin e tij.
Lini një Përgjigje