TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Mars 2023, 09:42

Rama tenton sërish të bëjë "liderin global" në Londër, sfidon DASH, sulmon BE dhe kritikon britanikët

Shkruar nga Pamfleti
Rama tenton sërish të bëjë "liderin global"
Kryeministri Edi Rama, Londër 24 Mars 2023

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Londër në ditën e dytë ka zhvilluar një bashkëbisedim në Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Kreu i qeverisë edhe sot në ditën e dytë të vizitës nuk i ka kursyer kritikat ndaj Britanisë, Bashkimit Europian, raportit të DASH, teksa u mundua të shfaqte veten si lider global.

Kjo pa kaluar 24 orë teksa Londa zyrtare i vuri diktate dhe kushte të prera për emigrantët shqiptarë.

Krititat dhe ironitë për Britaninë 

Rama e filloi takimin duke përsëritur kritikat ndaj Sekretares së Brendshme, Suella Braverman.

Ai u shpreh se kontributet e komunitetit shqiptar në Britani do të jetojnë më gjatë se Suella Braverman.

Rama tha se ajo nuk ka kërkuar ndjesë për ato që ka thënë për emigrantët shqiptarë sepse nuk i vjen keq. Dhe në këtë drejtim, sipas tij, komuniteti nuk ka çfarë të bëjë asgjë, por të vazhdojë të tregojë veten siç e ka treguar deri tani, duke nderuar flamurin shqiptar dhe atë britanik.

Më pas ai vazhdoi me retorikën e tij ironizuese ndaj përqasjes së autoriteteve britanike ndaj emigrantëve shqiptarë, Rama përfytyroi për një moment sikur rolet u këmbyen.

 “Nëse rusët do të pushtojnë Britaninë, ju ejani tek ne, ne do t’ju mbrojmë nga Putini dhe nga Suella Braverman të dy, kjo është e sigurt, do t'ju mbrojmë”, u shpreh kryeministri shqiptar ndërsa shkaktoi të qeshura në sallë.

Ai gjithashu u pyet sesi Shqipëria po i menaxhon sfidat gjeopolitike dhe emigracionin  masiv të të rinjve drejt Britanisë së Madhe, Rama tha se problemi nuk janë shqiptarët që vijnë në Britani, por që përdoren në ëndrrat dhe shpresat e tyre nga kriminelët.

‘Kriminelët shqiptarë nuk e sollën krimin këtu, ato nuk e sollën drogën këtu, por e gjetën këtu tregun.Gjithmonë kemi thënë na duhet të ndërtojmë një portë të përbashkët operative për të goditur rrjetet kriminale. Pas bisedës sime me kryeministrin në telefon kjo po ndodh. Problem im nuk është se shqiptarët vijnë në Britani, por kur shqiptarët përdoren në ëndrrat dhe shpresat e tyre nga kriminelët. Nuk kam probleme se kufijtë e Britanisë mbyllen, por s’duhet t’i lëmë të rinjtë shqiptarë të përdoren nga kriminelët. Komuniteti shqiptarë-britanik është fantastik. Të jesh nën trysninë e disa mollëve të kalbur që janë përballë. Kriminelët shqiptarë nuk e sollën krimin këtu, ato nuk e sollën drogën këtu, por e gjetën këtu tregun. Nëse homologët britanikë do të na dëgjojnë, kjo do të jetë shumë e suksesshme. Por ti veçosh shqiptarët!.”, u shpreh Rama.

Sulmet ndaj BE

Ironitë dhe krititkat Rama i vazhdoi edhe me Bashkimin Europian.

Ai u shpreh se pavarësisht se vendi ynë i ka përmbushur shpesh detyrat, Bashkimi Evropian ka qenë duke u marrë me zgjedhjet lokale apo kombëtare në vendet e tjera anëtare.

Por, sipas Ramës që pas luftës në Ukrainë, BE është më vigjilente ndaj Ballkanit dhe theksoi se Shqipëria ka nevojë për BE-në që të sigurojë demokracinë funksionale për brezat e ardhshëm.

“Si?! Të anëtarësohemi në BE? Po më kërkoni të shoh globin e kristalit, të parashikoj të ardhmen që është e pamundur sepse edhe BE nuk di gjë për këtë, askush nuk e di. Por, dëgjoni, pjesa e thjeshtë dhe më e vështirë për ne është se duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë. Qëllimi ynë është që të kemi një sistem drejtësie të pavarur dhe profesional dhe që të kemi të gjithë pjesën tjetër e cila është e mirë dhe që përkon me 4 mijë e disa qindra ligje, akte nënligjore që na duhet të miratojmë. Dhe kjo do ta bëjë Shqipërinë një demokraci moderne dhe funksionale. A do ta bëjë Shqipërinë një shtet anëtar? Nuk e di!

Kemi parë një Bashkim Evropian i cili ka qenë absolutisht hipokrit me ne, sepse ne i kishim bërë detyrat e shtëpisë, por nuk ishte e mjaftueshme sepse ata kishin problemet e tyre të brendshme. BE, se nuk dua të tingëlloj tani si tifoz i Brexit-it sepse nuk jam, Bashkimi Evropian është një federatë egosh që ndonjëherë nuk pikëtakohen me njëra-tjetrën, ka 27 zgjedhje kombëtare, lokale, evropiane dhe nuk janë në të njëjtën ditë. Kështu që duhet ta lexosh Bashkimin Evropian duke parë zgjedhjet. Nuk ka rëndësi që bën detyrat e shtëpisë, nuk ka rëndësi që Komisioni Evropian është i pranishëm për të vlerësuar teknikisht dhe jo politikisht, objektivisht dhe jo subjektivisht se sa ka bërë ky shtet punën e vet, për të thënë që po e kanë bërë punën e tyre dhe meritojnë çeljen e bisedimeve për anëtarësim, sepse ndërkohë na dalin zgjedhje në Holandë.", shtoi shefi i qeverisë shqiptare.

Liria e mediave dhe raporti i DASH

Rama gjithashtu është pyetur edhe për lirinë e mediave në Shqipëri. Ai nuk e pati problem të gënjente në Londër, ku tha se edhe pse nuk paguajnë detyrimet dhe bëjnë evazion fiskal, pronarët e mediave nuk janë gjobitur. Si duket kryeministri e ka harruar shumë shpejt raportin e DASH, ku shkruhej e bardha në të zezë se si qeveria ka ushtruar presion dhe ka censuruar median dhe fjalën e lirë.

“Më jepni një shembull, a pronarët e mediave që janë pronarë kompanie që bëjnë evazion fiskal, që çohen në prokurori në prova të qarta evazioni fiskal që nuk paguajnë prej vitesh, për mua janë gjëra të ndryshme. Duhet të paguash sigurimet shoqërore që nuk e bën, qiranë që nuk e bën, të ndërtosh në mënyrë të ligjshme.

Ne kurrë nuk kemi gjobitur një media, edhe pse duhet se ka një problem të madh me pagat e gazetarëve, shkoni e shikoni pagat e gazetarëve se janë të nënpaguar dhe janë duke paguar shumë me para në dorë, e kështu me radhë, ka një problem të madh me këtë përzierje mes lirisë së medias e të vepruarit në mënyrë të ligjit. Kjo nuk do tolerohet.

Unë kam rrezikuar jetën për lirinë e fjalës, kështu që epërsia morale e kushdo që i thotë vetes gazetar e që bën moral nuk e pranoj.”, është shprehur Rama.

Kujtojmë që tre ditë më parë DASH ‘ia përplasi në fytyrë’ të vërtetën për lirinë e medias në Shqipëri.

Departamenti Amerikan i Shtetit  vuri theksin tek censura e kërcënimet ndaj gazetarëve. Në raportin e publikuar thuhej se shumë media e gazetarë kanë aplikuar autocensurën për shkak të pagesave që kanë marrë nga kompanie të ndryshme. Por, nuk kanë munguar kërcënimet e presionet.

Dhe sigurisht për fund nuk u ndal pa u kontestuar edhe me gazetarët siç e bën shpesh në Shqipëri.

Rama u shpreh se Kosova është një vend simotër dhe se jemi një komb që jeton në dy shtete. Kreu i qeverisë korrektoi gazetarin britanik dhe për emërtimin e shtetit të Kosovës, duke theksuar se “Kosovo” e cilësojnë serbët.

"Së pari është Kosova jo Kosovo. Kosovo është mënyra se si e thërrasin serbët, kështuqë  ju avokatoni për pavarësinë e Kosvës dhe ju lutem të kërkoj me përulje nuk është faji juaj që propaganda ka bërë punën e vet. Dhe unë ndonjëherë them Kosovo, por është Kosova.", tha ai.

 

rama londër be

Lini një Përgjigje