
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta në konferencën e fundvitit, ku është ndalur gjerësisht te funksionimi i drejtësisë dhe çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Duke komentuar kërkesën e SPAK për pezullimin e saj nga mandati i deputetes, Rama tha se rasti ka ardhur në parlament “brutalisht” dhe në një mënyrë që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër.
“Është e pa ndodhur në historinë e botës që një prokuror dhe një gjykatë të bashkohen dhe të kërkojnë pezullimin e një ministri. Ne nuk jemi noterë; parlamenti nuk mund të pranojë 16 mijë faqe ku janë futur gjithë arkivat e një ministrie dhe të quhen prova”, deklaroi Rama.
Por sulmi më i ashpër i kryeministrit nuk ishte ndaj SPAK-ut, por ndaj sistemit gjyqësor në tërësi. Ai denoncoi numrin e lartë të të paraburgosurve në vend, duke thënë se Shqipëria renditet e fundit në Europë për këtë tregues dhe ka kaluar çdo normë të drejtësisë.
“E dini ju sa njerëz janë sot në burg pa qenë të dënuar? Janë më shumë se ata që janë të dënuar me vendim gjykate. Kemi 4.492 të burgosur, prej të cilëve vetëm 1.895 janë të dënuar. Kjo është shkelje e Kushtetutës dhe e Konventës Europiane. Jemi vendi më skandaloz i Këshillit të Europës për nivelin e dënimeve – vetëm Rusia ka qenë më keq, por ajo është përjashtuar”, u shpreh Rama.
Duke iu drejtuar gazetarëve, ai e quajti këtë realitet si një “traumë të përsëritur” për shoqërinë shqiptare dhe nënvizoi se drejtësia po abuzon me lirinë e individit në mënyrë të sistematike.
Ti dhe vetëm Ti Edi Rama, je përgjegjës për gjithçka. 3 vjet në pushtet e sabotove kthimin e shtetit në parametra demokratik dhe funksional. 9 vjet 2016-2025 ke sabotuar Reformën në Drejtësi. Ti je i pa ndreqshëm.