
Deputetja e Partisë Demokratike dhe kandidatja në listën e hapur të Tiranës për zgjedhjet e 11 majit, Dhurata Çupi, ka akuzuar qeverinë Rama për propagandë të vazhdueshme dhe përpjekje për të deformuar realitetin gjatë fushatës elektorale.
Çupi kritikoi ashpër premtimin e kryeministrit për anëtarësimin në BE, duke e quajtur të pabazuar dhe thjesht një mjet propagandistik.
“S’mund të jesh pjesë e BE pa ujë, pa drita, pa infrastrukturë dhe me një varfëri e keqqeverisje ekstreme. Karta e BE ka qenë një prej propagandave të Edi Ramës sepse nuk ka çfarë të thotë tjetër”, u shpreh Çupi për “News 24”.
Ajo rikujtoi premtimet e pambajtura të Ramës nga viti 2013, ndërsa shtoi se mbeten ende probleme për qytetarët shqiptarë.
“Tha se do kishte ujë 24 orë dhe se legalizimet do përfundonin për një vit. Sot, këto janë ende ndër problemet më të mëdha për qytetarët dhe për garancinë e pronës”, vijoi deputetja.
Çupi denoncoi gjithashtu shkeljet e Kodit Zgjedhor, duke theksuar se fushata është duke u zhvilluar në mënyrë të maskuar nga pushteti.
“Kodi Zgjedhor e ndalon propagandën qeverisëse me investime gjatë fushatës, por çdo ditë shohim Ramën dhe ministrat që ‘inspektojnë’ projekte dhe i shesin si arritje. Ky është abuzim i pastër me Kodin”, tha ajo.
E pyetur për qëndrimin ndaj veprimeve të SPAK në kuadër të zgjedhjeve, Çupi u shpreh optimiste.
“Jam e prirur të besoj te Task Forca e SPAK për zgjedhjet dhe krimin zgjedhor. Besoj se do ketë një efekt pozitiv për të mos lejuar deformimin e vullnetit të votuesve”, përfundoi deputetja e PD.
Lini një Përgjigje