
Analisti Fitim Zekthi tha se SPAK e ka fituar betejat me publikun. Zekthi u shpreh s e partitë e vjetra nuk e duan drejtësinë e re, pasi kjo e fundit po dënon njerëz të PS, PD dhe Partisë së Lirisë. Sipas tij, Rama, Meta dhe Berisha duan që të njollosin SPAK.
“PS, PD dhe ish-LSI duan ta shkatërrojnë drejtësinë e re. Të gjitha partitë e vjetra nuk e duan SPAK-un. PS nuk ka pse ta dojë SPAK, pasi i janë hetuar ministra e deputetë. PD e LSI nuk kanë veshur doreza fare dhe e thotë hapur se janë kundër SPAK. Njerëz nga këto tre parti kanë qenë ministra, kryeministra, drejtorë të rëndësishëm. PD dhe Partia e Lirisë sulmojnë përditë SPAK-un dhe normalisht që kjo ndikon. SPAK ka fituar betejat me publikun. Këta duan që SPAK-un ta njollosin, SPAK mbijeton vetëm duke prekur të paprekshmit. PD dhe PL nuk do fitojnë dot, pasi nuk janë në anën e së drejtës. PS do që të ndalë punën e drejtësisë së re me anë të Komisionit Xhafaj”, tha Zekthi.
Zekthi u shpreh gjithashtu se vota e diasporës është e veshur me mister, pasi nuk mund të patronazhohet. Sipas tij, shqiptarët në Greqi dhe Itali do të votojnë PS, ndërsa ata që janë në Gjermani do të votojnë opozitën.
“Vota e diasporës është proces delikat. Të dyja palët kanë “frikë” sepse vota e diasporës ka mister. Zgjatja e vlefshmërisë së kartave është bërë dhe më herët. Frika se një “dorë votash” të diasporës mund të ndryshojë mandate nëpër qarqe, e ka bërë votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë të mistershme. Pavarësisht se mazhoranca thotë se ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, sërish kjo votë nuk dihet se me cilën palë do shkojë. Shqiptarët e diasporës nuk është e lehtë t’i patronazhosh. Shqiptarët e diasporës janë shumë të pakënaqur me qeverinë e Ramës, por nuk kanë besim tek opozita. Mendoj se shqiptarët në Greqi e Itali do të votojnë PS, ndërsa ata që janë në Gjermani mendoj se do të votojnë opozitën. Rama i jep shumë rëndësi çdo vote që mund ta përfitojë. PD është në kaos e ka qenë gjithmonë në kaos”, tha analisti për “News 24”.
Lini një Përgjigje