TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Janar 2025, 13:55

Qeveria u fal taksat resorteve me 4-5 yje, Komisioni i Ekonomisë 'vulos' pazaret për oligarkët para zgjedhjeve

Shkruar nga Pamfleti
Qeveria u fal taksat resorteve me 4-5 yje, Komisioni i Ekonomisë
Komisioni i Ekonomisë

Ky vendim u quajt nga opozita si qoka e radhës për oligarkët në prag të zgjedhjeve.

Qeveria Rama u ka falur taksat të gjitha resorteve me 4-5 yje që kanë një kontratë me një ‘brand name’ ndërkombëtar deri në fund të vitit 2026.

Nisma ligjore e deputetit të PS, Blendi Klosi për të zgjatur me 2 vite afatin për përjashtimin e këtyre bizneseve nga tatimi mbi të ardhurat, u miratua ditën e sotme nga Komisioni i Ekonomisë.

Ky vendim u quajt si qoka e radhës për oligarkët në prag të zgjedhjeve.

“Ky është ligj special dhe me porosi, prek vetëm disa biznese. Ligji lidhet me qëllime elektorale. Ke një pakicë të favorizuar, dhe 95% e strukturave të tjera paguajnë të gjitha tatimet e ligjshme”, pohoi Tabaku.

Tabaku kundërshtoi propozimin e socialistëve në Komisionin e Ekonomisë për faljen 10-vjeçare të taksave për kompanitë e huaja që investojnë në turizëm. Tabaku e ka quajtur këtë nismë një dhuratë për oligarkët e turizmit, që lë pas dore shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë dhe bizneset e vogla.

“Kur miratuam buxhetin në dhjetor, qeveria premtoi se nuk do të kishte ndryshime fiskale, as përjashtime, as privilegje. Por, vetëm një muaj më vonë, socialistët sjellin një nismë që shkel premtimet e veta dhe dispozitat ligjore, duke falur taksat për një grusht kompanish në prag të zgjedhjeve, ” deklaroi Tabaku.

Tabaku kritikoi edhe shtyrjen e Ligjit për Investimet Strategjike për të tetën herë, duke e quajtur atë një shembull të qartë të kapjes së ligjit nga interesat private. Ajo paralajmëroi se falja e re e taksave për kompanitë e mëdha është në të njëjtën linjë me këtë praktikë dhe përshpejton pabarazinë ekonomike në vend.

“Këto ligje nuk janë më përkohshme. Përfitimet për një pakicë po kthehen në normë, ndërsa bizneset e vogla dhe fermerët përballen me një barrë të rëndë fiskale,” theksoi Tabaku. “Si mund të justifikoni që hotelet e mëdha të huaja përjashtohen nga taksat, ndërsa strukturat akomoduese shqiptare në vijën bregdetare, që punësojnë qindra njerëz, paguajnë gjithçka? ”
Tabaku hodhi dyshime mbi të dhënat e Ministrisë së Financave, e cila pretendoi krijimin e 888 vendeve pune nga këto përjashtime fiskale. Ajo kërkoi transparencë të plotë dhe informacione të sakta mbi përfitimet reale ekonomike të këtyre masave.

“Sa janë të punësuarit në hotele që nuk përfitojnë këto privilegje? Po 300,000 fermerët që punojnë çdo ditë pa asnjë përjashtim fiskal, çfarë mbështetje kanë marrë? Si mund të mbyllim sytë ndaj kësaj pabarazie? ” pyeti Tabaku, duke shtuar se kjo është një politikë që godet direkt interesat e qytetarëve dhe biznesit të ndershëm.

Duke e quajtur të turpshme axhendën legjislative të mazhorancës, Tabaku kritikoi faktin që sesioni parlamentar i vitit të ri nisi me ligje që favorizojnë bizneset e mëdha dhe të huaja.

“Në vend që të sillnim një ligj që prek shumicën e qytetarëve, qeveria nis vitin me privilegje për 10-11 hotele të mëdha. Kjo është dhurata më e keqe që mund t’i bëhet sistemit tonë fiskal dhe barazisë ekonomike, ” deklaroi ajo.
Tabaku ngriti shqetësime të forta mbi ndikimin afatgjatë të politikave të privilegjuara fiskale. Ajo akuzoi qeverinë për krijimin e një sistemi taksash të pabarabartë dhe të padrejtë, që favorizon informalitetin dhe ndarjen ekonomike.

“Faljet e taksave dhe politika preferenciale kanë krijuar një pabarazi të thellë. Hotelet shqiptare paguajnë taksa, ndërsa të huajat përjashtohen. Çfarë mesazhi po i jepni investitorëve vendas? ” tha ajo me tone të forta./ Pamfleti

 

komisioni i ekonomisë qeveria u fal taksat resorteve me 4-5 yje para zgjedhjeve

Lini një Përgjigje