
Kryeministri Edi Rama nuk e fsheh më se patronazhistët janë sekreti i fitores së zgjedhjeve. Rama u ndal në Kukës, ku tha se PS fitoi për shkak të aktivistëve, patronazhistëve, por dhe për shkak të përçarjes së PD.
Rama shtoi se kjo i vë të gjithë përballë sfidës së vështirë për të mbajtur premtimet, edhe pse paralajmëroi që jo çdo nevojë mund të përmbushet, pasi mundësitë nuk janë të pafundme.
“Aktivistët e patronazhistët kanë punuar shumë mirë, janë bërthama e organizimit tonë. Janë bashkuar të gjitha këto forca në një drejtim dhe u arrit një rezultat shumë pozitiv.
Një rol në rezultat ka luajtur edhe një lëvizje që ka ndodhur djathtas, sepse edhe ata që janë të djathtë, duke qenë se ishin zgjedhje lokale kanë menduar kush do bënte më shumë për komunitetin, edhe pse nuk donin të votonin PS.
Nuk ka qenë e vështirë t’i bindnim sepse kandidatët kanë qenë jo socialistë tipikë, për ta thënë butë sepse kemi pasur edhe demokratë. Ka fituar logjika të fitojmë për të vijuar punën. Një pjesë tjetër nuk dolën në votim dhe unë i falënderoj.
Kjo është një sfidë e madhe sepse na thonë ja ku e keni, na luajtët mendsh vetëm përpara, çojeni vetëm përpara tani.
Nuk është e lehtë. Është e pamundur që në të gjitha fëmijët nevojat e kërkesat e familjarëve të plotësohen, sepse mundësitë janë më vogla se nevojat.
Duhet ta nisim nga ajo që është e mundur që të plotësohet e gjitha, çka është edhe ajo që shqiptarët e kanë nevojën e kërkesën kryesore, të begenisen e “hallin që nuk ua zgjidh, t’jau qash”.
Kryefjala do jetë njerëzillëku”, tha ai.
Lini një Përgjigje