Zhvillimet vijnë në një kohë kur ndryshimet në Kod kanë shkuar në Kushtetuese...
Mazhoranca dhe opozita do të amendojnë sërish Kodin Zgjedhor. Edhe pse trumbetuan me të madhe se futën votën e diasporës, ky proces u cilësua nga KQZ si i mangët.
Komisioni Ilirjan Celibashi vuri në alert partitë politike për rrezikun e dështimin e votës së emigrantëve pasi konsultave që ka pasur me operator të shërbimit postar të cilët i kanë shprehur shqetësimin se afatet e vendosura ne kod e pamundësojnë vajte- ardhjet e fletës së votimit në kohë.
“Sikurse ju e dini afatet për regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidateve, së bashku me kohën për prodhimin e fletëve te votimit datojnë rreth 10-12 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Të gjithë operatorët përfshi edhe atë publik vlerësojnë se është e pamundur dërgimi i fletëve të votimit jashtë dhe kthimi i tyre në Shqipëri në një kohë më të shkurtër se 30 – 45 ditë”, tha Celibashi pak kohë më parë.
Kërkesa e tij gjeti mbështetjen e mazhorancës. Pak ditë më parë, Damian Gjiknuri ftoi opozitën që të ulen dhe të bëjnë amendimet e kërkuar me qëllim që vota e diasporës të mos dështojë.
“Ky është një shqetësim që do të kërkonte ndryshime në Kodin Zgjedhor. Mendoj se mund të bëhet ndonjë modifikim në kod vetëm për këtë gjë. Mendoj që edhe nga ana e opozitës duhet të ketë vullnet për ta bërë këtë. Nuk është dëshirë politike, por proces politik”, u shpreh Gjiknuri.
Por sot duket se ka ardhur sinjali nga Sali Berisha se edhe opozita është gati për të bërë sërish ndryshime në Kod. Në një takim vizual me grupin parlamentar, ai dha dritën jeshile për tu ulur në tryezë.
“Grupi ynë i punës, Bylykbashi, Kaso dhe përfaqësuesit tanë në KQZ kanë bërë një pune intensive, serioze për udhëzimet në zbatim të ligjit që u miratua. Ne jemi të gatshëm të votojmë çdo ndërhyrje të nevojshme për ta bërë procesin e votimit të shqiptarëve jashtë vendit sa më pa pengesa, të mundshëm, transparent dhe të pamanipulueshëm. Nuk duhet të harrojmë se kemi të bëjmë me një të drejtë themelore të qytetarëve shqiptarë që ne kurrë nuk e shmangim”, tha Berisha.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur ndryshimet në Kod kanë shkuar në Kushtetuese dhe sot Kuvendi ka kërkuar të shtyhet seanca e planifikuar për në 26 nëntor.
Kërkesa për shtyrjen është paraqitur nga Kuvendi më 11 nëntor 2024, ku u kërkua jo vetëm ndryshimi i datës së seancës, por edhe më shumë kohë për të paraqitur argumentet e Kuvendit. Një ditë më vonë, më 12 nëntor, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën dhe vendosi ta pranojë. Seanca publike u shty për 4 dhjetor, ndërsa Kuvendit iu dha një afat për dorëzimin e parashtrimeve deri më 27 nëntor 2024.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë kontestuar nga disa subjekte politike dhe organizata, të cilat kërkojnë shfuqizimin e tyre. Në mesin e kërkuesve janë “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar,” organizata “Shqipëria Bëhet,” partia “Nisma Thurje,” si dhe deputetët Lulzim Basha, Orjola Pampuri, Merita Bakiu, Gëzim Ademaj, “Aleanca Demokracia e Re,” “Lëvizja Demokratike për Ndryshim,” “Partia Kombëtare Konservatore Albania,” “Bashkimi Demokristian Shqiptar,” dhe “Ora e Shqipërisë.”
Lini një Përgjigje