Kreu i qeverisë merr në pyetje zv/ministrat, sekretarët dhe drejtorët për punën e çdo dikasteri...
Kryeministri Edi Rama ka kapur në befasi kabinetin qeveritar. Ndonëse ishte lajmëruar se do të kishte një mbledhje dy ditore në Tepelenë me ministrat, në fakt Rama ka kërkuar të jenë prezentë stafet e secilit dikaster.
Siç shihet dhe nga vetë fotot e postuara nga Rama, në Tepelenë kanë shkuar zv/ministrat, Sekretarët e Përgjithshëm, drejtorët e agjencive dhe të gjithë drejtuesit e tjerë.
Në Asamblenë e PS, Rama dha sinjale se do ketë ndryshime në qeveri pas takimit në Tepelenë dhe kryeministri duket se nuk u ka zënë shumë besë ministrave. Ai ka pyetur vartësit e tyre për punën në çdo ministri dhe aty ku ka probleme priten dhe lëvizje.

Rama sot dha dhe një mesazh për ministritë dhe për qytetarët duke u shfaqur me një gotë uji të ftohtë nga Tepelena. Duket se ishte e qartë se ai tentoi të tregonte se do i bënte për ujë të ftohtë ministrat. Pak ditë më parë u fol se Delina Ibrahimaj u largua. Zërat thonë se vendimi është marrë, por pritet vetëm komunikimi publik.
Po ashtu janë dhe disa dikastere të tjerë që mund të ndryshohen. Megjithatë Rama sot ka dhënë sinjal se ndoshta do ketë ndryshime në nivele zv/ministrash, drejtorësh apo Sekretarësh. Por nga ana tjetër, ka zëra se ata që do të bindin Ramën mund të marrin poste ministrash. Nëse marrim sërish si shembull Ibrahimajn, në vend të saj është përfolur se do të vendoset zv/ministrja e Financave.
Pra duket se Rama po i teston të gjithë dhe ndoshta nesër pasdite ose të hënën mund të kemi zhvillime interesante në kampin rozë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje