Ngec plani i mazhorancës për të rritur pagat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Edhe pse në komision ligji kaloi pavarësisht bujës së madhe, PS nuk ka arritur të sigurojë numrat e nevojshëm në Kuvend.
Ndërhyrja në Ligjin për Kushtetuesen kërkon 84 vota dhe mazhoranca është lënë në baltë edhe nga anëtarët e opozitës. Për këtë arsye, grupi i PS ka kërkuar që të hiqet nga rendi i ditës kjo pikë dhe të miratohet një herë tjetër.
Projektligji i hartuar Ministria e Drejtësisë, me propozimin e vetë Gjykatës Kushtetuese, parashikon që paga e një gjyqtari kushtetues të jetë rreth 644 mijë lekë, ndërsa e kryetarit të kësaj gjykate në vlerën rreth 773 mijë lekë. Ky projektligj u konstestua nga disa anëtarë të Komisionit si “i palogjikshëm dhe i pabazuar” gjatë diskutimeve 2 ditë më parë.
Anëtarët e Kushtetueses do kenë paga shumë më të larta se presidenti, por edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë.
“Paga mujore e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.96 me pagën e Presidentit të Republikës. Paga mujore e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese indeksohet me vendim të Këshillit të Ministrave jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i fundit. Niveli i indeksimit, në çdo rast, nuk kalon një pikë përqindjeje mbi nivelin e targetuar të inflacionit nga Banka e Shqipërisë”, thuhet në ligj.
Po ashtu në nenin 17 shtohet pika: “Përveç pagës mujore, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese përfiton një shtesë për shkak të natyrës së veçantë të punës, në masën 58% për qind të pagës.”
Ndërkohë benefitet do të jenë më të mëdha për kryetaren, e cila do përfitojë rritje page, shtesë page 58 për qind dhe 20 për qind shtesë mbi to.
Interesant është fakti se shtesa për Kushtetuesen vjen në një kohë kur gjyqtarët kanë dhënë disa vendime pro qeverisë, ndërkohë që janë dhe disa të tjerë në pritje. Kushtetuesja i hapi rrugë portit të Durrësit dhe po ashtu rrëzoi padinë për sekuestrimin e kateve pa leje.
Aktualisht është në shqyrtim dosja për Butrintin. Po ashtu pritet të përfundojë në Kushtetuese kërkesa për t’i hequr mandatin e deputetes Olta Xhaçkës. Si duket Rama po tenton ta ketë mirë me anëtarët, ndonëse në relacion argumenti është se kjo bëhet për të ruajtur hierarkinë e pagave. /Pamfleti
Lini një Përgjigje