Qeveria greke ka reaguar zyrtarisht mbi darkën e mbajtur sot me liderët e rajonit, në të cilën nuk u ftua kryeministri Edi Rama. Mitsotakis mblodhi liderët e gjithë Ballkanit dhe zyrtarë të BE, duke tentuar të tregojë se Athina vendos për integrimin e rajonit.
Takimi ishte padyshim një mesazh ndaj Tiranës, pasi arrestimi i Fredi Belerit e ka tensionuar ndjeshëm situatën dhe Greqia po kërcënon me bllokim të integrimit.
Mitsotakis nuk e ftoi Ramën në takim, duke dërguar ftesë të Bajram Begaj. Ky i fundit e refuzoi. Të gjithë e kuptuan se ishte një manovër e qeverisë greke, e cila sot e ka pranuar hapur. Pas darkës foli zëdhënësi i qeverisë greke, duke vijuar me avazin e kërcënimeve.
“Mendoj se të gjithë e kuptojmë se nuk ishte e mundur të ftohej zoti Rama në një nismë kaq të rëndësishme. Me këtë duam të themi se rruga europiane e Shqipërisë kalon përmes respektimit bazë të normave dhe rregullave të së drejtës europiane. Gjithsesi ka qenë i ftuar presidenti i Shqipërisë, i cili refuzoi pjesëmarrjen”, tha Pavlos Marinakis.
Darka joformale në Athinë u organizua me rastin e 20 vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe “Deklaratës së Selanikut”. Aty morën pjesë liderët e Kosovës, Maqedonisë, Serbisë dhe shefja e KE, Ursula Von der Leyen.
Athina dhe Tirana janë përplasur ashpër për rastin e Belerit. Edhe pse ky i fundit u kap duke blerë vota, Athina i ka dhënë të drejtë vetes të kundërshtojë drejtësinë dhe të kërkojë lirimin e tij. Drejtësia deri më tani nuk i është bindur dhe kanë filluar kërcënimet me ndërprerje fondesh dhe bllokim të integrimit.
Lini një Përgjigje