TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Gusht 2023, 21:31

Nga neni i bllokut 700 mijë euro, te Presidenca dhe manovrat me pasurinë, Ilir Meta 7 vite nën terrorin e burgut!

Shkruar nga Pamfleti

Nga neni i bllokut 700 mijë euro, te Presidenca dhe manovrat me

Që kur filloi reforma në drejtësi edhe deri më tani, Ilir Meta ka punuar në prapaskenë vetëm e vetëm që t’i shpëtojë burgut...

Drejtësia vijon të jetë e pafuqishme përballë “mamuthëve të korrupsionit”. Ndonëse u bënë 7 vite që kur ka nisur reforma në drejtësi, sërish nuk po shkohet atje ku pritej. Kur nisi kjo reformë flitej se do bëhej drejtësi për Gërdecin, “21 janarin”, Rrugën e Kombit, aferën e CEZ, vjedhjen e floririt, bllokun 700 mijë euro, etj. Por në fakt për asnjë dosje nuk ka drejtësi.

SPAK ka dërguar për gjykim dhe ka arrestuar disa zyrtarë të dorës së dytë, por ende nuk po shkon te dy politikanët më të urryer sipas sondazheve, Meta e Berisha. Të dy kanë 30 vite në politikë, kanë vjedhur sa kanë dashur, por nuk u ka hyrë gjemb në këmbë.

Të dy e dinë që do vijë një ditë përballja me drejtësinë, ndërsa sot po tregojmë se si Ilir Meta prej më shumë se 7 vitesh ka punuar që të qëndrojë larg burgut.

Në vitin 2015 filloi hartimi i reformës në drejtësi, e cila u finalizua në 21 korrik 2016 me miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Më pas u ndryshuan një sërë ligjesh të rëndësishme, por duket se që aty politika ka tentuar të amnistojë veten dhe një ndër ata që ka punuar për interesat e tij është Ilir Meta.

Në ndryshimet që ju bënë Kodit të Procedurës Penale, është specifikuar se një funksionar nuk mund të rigjykohet për një çështje të gjykuar nëse kërkohet një dënim më i lartë për të. Me pak fjalë, Meta nuk mund të gjykohet më për bllokun e famshëm 700 mijë euro. Në atë kohë PS dhe LSI ishin në pushtet dhe ndryshimi i këtij neni ishte pjesë e pazarit mes dy forcave, specifikisht për këtë dosje.

Pasi i shpëtoi kësaj afere, Meta duket se i druhej rasteve të tjera. Duke qenë se thuhej se reforma do sillte reprezalje, Meta u tremb dhe vendosi të “burgosej” në Presidencë. Të gjithë e mbajnë mend “ultimatumin” që Gramoz Ruçi i dha Metës se duhej të bëhej President. Ndërkohë ky i fundit gjithmonë justifikohej se u bë President për të mos futur në krizë vendin. Në fakt ishte një manovër për tu mbrojtur nga drejtësia. Presidenti ka imunitet dhe nuk mund të hetohet për sa kohë është në detyrë. Planet e Metës ishin që të mbante 2 mandate, pra 10 vite të rrinte në detyrë, me shpresën se pas 10 vitesh reforma do kishte mbaruar. Mirëpo pazaret me Ramën nuk i ecën dhe ai një vit më parë doli nga strofulla si politikan i lirë, duke mos pasur as imunitet dhe as pushtet.

Manovra tjetër që ka përdorur Meta është heqja e pasurisë nga emri i tij. Thuajse të gjitha pasuritë janë në emër të Kryemadhit. Madje dhe një numër të madh apartamentesh që ajo i mori nga ndërtimi i pallati, i ka shitur. Edhe vilën te Gjiri i Lalëzit janë kujdesur ta shesin si shkëmbim. Vetë Meta në emër të tij ka vetëm 2-3 pasuri, të tjerat i ka hedhur në emër të Monikës.

Por edhe pse ka një vit pa imunitet dhe me 5-6 padi në SPAK ai sërish po mundohet t’i rezistojë drejtësisë. Një herë tenton të afrohet me amerikanët, më pas shkon dhe bën pazare me Saliun. Po ashtu ka zëra se po punon shumë fort dhe në prapaskenë duke dashur të “korruptojë” edhe SPAK. Po ashtu është folur se është gati të dërgojë gruan në burg, vetëm e vetëm që të mos e provojë qelinë.

Pra duket se prej më shumë se 6 vitesh i ka shkuar jeta duke negociuar, duke bërë pazare dhe duke punuar që të mos japë llogari. Tani duket se sytë janë te SPAK, si shpresa e fundit, që jo vetëm Meta, por edhe Berisha, Rama dhe kushdo tjetër që ka vjedhur, të japë llogari. Deri tani SPAK nuk po ngjit me mënyrën se si po heton. Mbetet të shihet nëse do arrijë ta thyejë frikën, apo do mbetet njësoj si modelet e vjetra. /Pamfleti

meta burg reforma

Lini një Përgjigje