Balla: Numri i komisioneve mbetet njësoj, ripërsërisim procedurën
Partia Socialiste ka paralajmëruar se nuk do të pranojë ndryshimin e numrit të komisioneve parlamentare, ndonëse Kushtetuesja e cilësoi antiligjor procesin.
Në shtator PS shtoi numrin e komisioneve nga 8 në 11, por sipas Kushtetueses, PS ka shkelur procedurën. Kreu i grupit Taulant Balla, përmes një reagimi në rrjetet sociale ka bërë të qartë se PS do të nisë nga e para procedurën duke i rivotuar dhe njëherë komisionet, por sipas tij numri do të mbetet siç është, pra 11.
“Nuk gjej dot asnjë lidhje mes të drejtës së Kuvendit për organizimin e punës së vet në komisione të përhershme dhe vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese. Pres me shumë kuriozitet vendimin e plotë për të kuptuar edhe atë çështjen e “të drejtës së shprehjes”, kur është fakt se deputetët kanë votuar dhe e kanë shprehur vullnetin qartazi me votë. Megjithatë mendoj se Kuvendi i Shqipërisë duhet ta vazhdojë punën e tij me ndarjen aktuale të Komisioneve, të cilat do duhet të rimiratohen bashkë me ndryshime të tjera që siç njoftova në fillim të sesionit do t’i depozitojmë në ditët në vijim”, shprehet Balla.
Në shtator, PS vendosi të shtojë numrin e komisioneve parlamentare nga 8 në 11, teksa dhe disa prej komisioneve të vjetra u ridimensionuan.
Por PD e ankimoi ndryshimin e Rregullores në Kushtetuese. Sipas saj, Rregullorja e Kuvendit u ndryshua në dy mbledhje të Parlamentit, të cilat u zhvilluan brenda të njëjtës ditë, ndërkohë që Kushtetuta parashikon se një ligj, edhe kur futet me procedurë të përshpejtuar, nuk mund të miratohet pa kaluar 7 ditë. Sipas PD-së, miratimi brenda një kohe kaq të shkurtër i ndryshimeve në Rregullore cenon të drejtën e deputetëve të opozitës për t’u njohur me ndryshimet, si dhe për të propozuar amendamente.
Kushtetuesja duket se i ka dhënë të drejtë PD-së në këtë aspekt. Sipas Gjykatës Kushtetuese, procedura ka qenë antikushtetuese për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.
Si duket PS tani do të nisë proceduart nga e para, duke informuar në kohë deputetët dhe në fund do të bëjë votimin po të 11 komisioneve aktuale.
11 komisionet parlamentare
1. Komisioni për Ekonominë, punësimin dhe financat ( Shumica )
2. Komisioni për Çështjet ligjore dhe Administratën publike ( Shumica )
3. Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes ( Shumica )
4. Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe sportet ( Opozita )
5. Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale ( opozita )
6. Komisioni për Burimet Natyrore, infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm ( Shumica )
7. Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ( opozita )
8. Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural ( Shumica )
9. Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën ( opozita )
10. Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme ( shumica )
11. Komisioni për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale ( shumica )
Lini një Përgjigje